Demokratët hynë nga dritaret në Kuvend, Berisha: U detyruan të bënin Tarzanin

Deputetët e përjashtuar demokratë, ditën e sotme janë futur në ambientet e Kuvendit jo përmes derës, por në mënyra të pazakonta.

Siç raportuam më herët, Garda bllokoi derën duke mos lejuar futjen e deputetëve të përjashtuar në komisione.

Por gjatë tensioneve, Flamur Noka ka mundur të ngjitet mbi kangjella dhe të futet fillimisht brenda territorit të jashtëm të godinës.

Pas tij janë futur edhe Ervin Salianji dhe Bledion Nallbati. Të dy ata, bashkë me Nokën kanë shkuar më pas te dritarja e njërit prej komisioneve duke mundur të futeshin brenda nga dritarja pasi vunë këmbët në një karrige që i lëshuan kolegët demokratë nga sipër.

Lidhur me situatën, në një deklaratë për mediet, Sali Berisha tha se deputetët u detyruan që të bënin Tarzanin.

Berisha: Sot, për herë të parë në historinë e planetit, grup deputetësh të PD u detyruan të bëjnë Tarzanin për të hyrë në zyrën e tyre në parlament, të ngjiten mbi mure. Kjo skenë është një skenë unike në mediat e botës, kjo skenë po qarkullon sot në katër anët e planetit si dëshmia më flagrante e narkosjhteitt, e regjimit të Edi Ramës, të bazuar në drogën,krimin, vjedhjen dhe vasalët e tij. Akt më të turpshëm, akt më të rëndë nuk mund të ketë.

Deputetët e opozitës kishin mbledhjen e tyre në sallën e grupit parlamentar. Ti mund ta përjashtosh deputetin sipas rregullave nga pjesëmarrje në seancë plenare, mund ta përjashtosh nga pjesëmarrja në komisione, por kurrë pa i hequr imunitetin, nuk mund ta përjashtosh nga pjesëmarrja në mbledhjen e grupit parlamentar. Kjo nuk mund të ndodhë kurrë.

Sipas Berishës, ajo që ndodhi sot është asgjësim i parlamentit. Ai theksoi se akti i sotëm, është atentati më i rëndë ndaj pluralizmit./albeu.com


Shtuar 6.11.2023 14:00