Delegacion i “Fratelli d’Italia” inspekton qendrën e emigrantëve në Gjadër: Projekt që funksionon dhe që përfaqëson një model për të gjithë Europën

Një delegacion i përfaqësuesve të “Fratelli d’Italia” zhvilloi ditën e sotme një vizitë kontrolli në qendrën e pritjes për emigrantët në Gjadër, me qëllim verifikimin e funksionimit të saj dhe kundërshtimin e kritikave që, sipas tyre, vijnë nga e majta për të delegjitimuar projektin.

Sipas delegacionit, modeli italian konsiderohet eksperimental dhe pionier, i cili ka pësuar ndryshime me kalimin e kohës, siç ndodh zakonisht me projekte të reja.

Të lidhura

None found

Aktualisht, sipas tyre, qendra në Gjadër është plotësisht funksionale dhe përputhet me kuadrin europian që synon të përshpejtojë riatdhesimin e personave që nuk plotësojnë kushtet për azil.

“Ndërsa e majta kërkon të çmontojë modelin Shqipëri të qeverisë së Giorgia Meloni, ne jemi këtu për ta mbrojtur dhe për të vazhduar luftën kundër emigracionit të paligjshëm, që ka sjellë një ulje mbi 70% të zbarkimeve”, deklaroi Augusta Montaruli, deputete e Fratelli d’Italia dhe pjesë e delegacionit, sipas “Il Giornale”.

Në të njëjtën linjë, deputetja Sara Kelany theksoi se synimi është të hidhen poshtë, me fakte, narrativat që e konsiderojnë projektin si jofunksional apo si një shpërdorim fondesh. “Është një projekt që funksionon dhe që përfaqëson një model për të gjithë Europën”, u shpreh ajo.

Në përfundim të vizitës, në një deklaratë zyrtare, grupet parlamentare të Fratelli d’Italia konfirmuan se qendra në Gjadër është “e mbushur dhe funksionale”, ashtu siç ishte paralajmëruar nga kryeministrja Meloni. Sipas tyre, në këtë strukturë kanë kaluar 536 persona me rrezikshmëri të lartë shoqërore, shumë prej të cilëve janë riatdhesuar.

Delegacioni falënderoi gjithashtu forcat e rendit dhe stafin social e shëndetësor për punën e kryer, ndërsa bëri të ditur se qendra për procedurat e përshpejtuara kufitare është gati për t’u vënë në funksion sapo të hyjë në fuqi pakti i ri europian për migracionin dhe azilin.


Shtuar 20.04.2026 18:12