Del autopsia e Xhuana Nikollajt: E reja nuk ishte shtatzënë! Konfirmohet dhuna fizike e ushtruar nga ish-partneri, Eraldo Fizi ende në arrati

Ndryshe nga seç u raportua në fillim, autopsia ka vërtetuar se e reja Xhuana Nikollaj e cila i dha fund jetës së saj nuk ka qenë shtatzënë.

Rezultatet e autopsisë kanë përmbysur rrjedhën e hetimeve nga e cila u zbulua se e reja ka qenë viktimë e dhunës fizike përpara se të ndërmerrte aktin fatal dhe duke hedhur poshtë pretendimet se ajo ishte në pritje të ëmbël.

Burime pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore kanë konfirmuar se në trupin e 25-vjeçares u konstatuan shenja të qarta dhune.

Vetëvrasja e Xhuanës dyshohet të ketë ndodhur pas konflikteve dhe dhunës së vazhdueshme nga ish-partneri i saj, Eraldo Fizi, i cili është shpallur në kërkim nga policia.

Ky i fundit mendohet të ketë përndjekur dhe kërcënuar shpesh-herë viktimën, që pas momentit kur Xhuana i ka kërkuar ndarjen.

Pasditen e sotme është zbuluar dhe letra e shkruar nga Xhuana për familjarët e saj, përmes së cilës shprehej se ajo nuk do lejojë të ketë më pranë vetes njerëz që vetëm e kanë lënduar. Duke lënë të nënkuptuar se prej kohësh ajo ka dashur të distancohet totalisht nga ish-partneri, Xhuana së fundmi ishte zhvendosur nga Lezha duke banuar e vetme në Tiranë.

Në një romancë prej vitesh me Eraldon e cila u përmbyll tragjikisht për Xhuanën, konfliktet mes çiftit u përkeqësuan pas martesës së tyre, çka i çoi dhe në ndarje vetëm 3 muaj pas dasmës.

Edhe pse prej muajsh ata ishin të ndarë mësohet se Xhuana ishte takuar me Eraldon rreth datës 9 shkurt, kur ky i fundit sapo ishte kthyer nga jashtë shtetit.

Një muaj pas takimit që mendohet të ketë qenë sqarues mes dyshes, Eraldo Fizi nuk hoqi dorë nga Xhuana pasi dyshohet se e ka përndjekur dhe dhunuar fizikisht, diçka që u vërtetua dhe nga rezultatet e autopsisë.


Shtuar 11.03.2026 20:00