Qeveria ka shtyrë me dy muaj afatin për dorëzimin e deklaratës vjetore individuale të të ardhurave për të gjithë individët me të ardhura mbi 2 milionë lekë.
Në shtesën që i bëhet ligjit “ Për tatimin mbi të ardhurat”, ekzekutivi ka vendosur edhe faljen e gjobave për rastet ku plotësimi i deklaratës ka pasaktësi apo kur tatimpaguesit japin informacione të gabuara e të rreme.
Por, falja e gjobave specifikohet në vendimin e qeverisë do të bëhet vetëm me kusht që dorëzimi i deklaratës tatimore vjetore dhe pagesa e detyrimit të kryhen deri në datën 30 qershor 2021.
Afati fillestar për dorëzimin e deklaratës vjetore të ardhurave për këto individë ishte 30 prilli. Një vit më parë këtë deklaratë pranë tatimeve e kanë dorëzuar rreth 12 mijë tatimpagues në të gjithë vendin.