Qeveria greke reagoi ashpër të hënën pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kërcënoi gjatë fundjavës se do të godiste Athinën me raketa balistike.
“Zoti Erdogan duhet ta dijë mirë se vendi ynë nuk mund të terrorizohet dhe as të frikësohet,” tha zëdhënësi i qeverisë greke, Giannis Oikonomou gjatë një konference shtypi në Athinë.
Greqia, tha zoti Oikonomou, “është absolutisht e vendosur, është gjithmonë e përgatitur, e gatshme, të mbrojë ligjshmërinë ndërkombëtare, të mbrojë sovranitetin dhe të drejtat e saj sovrane.”
Ai shtoi se “sado të këmbëngulë zoti Erdogan në shtrembërimin e realitetit dhe në retorikën provokuese, të gjitha këto kërcënime dhe lëvizje të tij janë një rrugë pa krye.”
Duke folur gjatë një takimi me të rinj në qytetin verior turk të Samsunit të shtunën, presidenti Erdogan tha se Turqia ka filluar të prodhojë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi të quajtura “Tayfun”, diçka që siç tha ai “po frikëson grekët”.
“(Grekët) thonë se ato ‘mund të godasin Athinën’, tha zoti Erdogan, komentet e të cilit u bënë publike të dielën vonë.
“Sigurisht që po. Nëse nuk ruani qetësinë, nëse bëni përpjekje për blerje nga Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera (për të armatosur) ishujt, një vend si Turqia duhet të bëjë diçka”, tha ai .
Marrëdhëniet midis fqinjëve dhe aleatëve të NATO-s kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Të dyja palët kanë mosmarrëveshje për një sërë çështjesh, përfshirë pretendimet territoriale në Detin Egje dhe të drejtat për eksplorimin e energjisë në Mesdheun lindor.
Ato kanë qenë në prag të luftës tre herë gjatë gjysmëshekullit të kaluar./VOA