Deklaratat e Berishës, reagon Bardhi: Sulmet ndaj demokratëve, të padenja!

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka reaguar në lidhje me deklaratat e Sali Berishës sot, i cili sulmoi hapur Agron Kapllanajn për të cilin tha se ka përfituar 32 milionë euro fonde nga shteti shqiptar, në një kohë kur bashkitë qeverisen nga socialistë.

Në lidhje me këtë deklaratë, Bardhi tha se nuk është e denjë të sulmohen demokratët dhe se Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit.

“Sulmet e Sali Berishës kundër demokratëve janë të padenja, por fatmirësisht, të padëmshme. Ato mbeten mashtrime të një politikani me karrierë të mbaruar dhe të mbyllur me turp! Agron Kapllanaj është një nga demokratët më të votuar dhe më të respektuar në zonën e Fierit.

Agron Kapllanaj ka zgjedhur PD dhe demokratët, prandaj sulmohet paturpësisht nga Sali Berisha. Asnjë mashtrim i Sali Berishës nuk e ndryshon dot faktin se demorkatët kanë zgjedhur të ardhmen, jo hallin e tij personal. Demokratët po e braktisin dita ditës.

Se me kë po i ndërton pallatet Edi Rama dhe Erion Veliaj tek 5 Maji, Sali Berisha duhet të pyesë familjarët e tij. Kush është miku trafikant droge në Spanjë që në kundërshtim me ligjin ka fituar tenderin e rindërtimit nga Erjon Veliaj? Pse e fsheh Sali Berisha me mashtrime? E vërteta që do të dal shumë shpejtë është aq e dukshme, sa shpifjet e Sali Berishës nuk e mbulojnë dot”, thuhet në reagimin e Bardhit./albeu.com

 


Shtuar 26.01.2022 18:52