Berisha: Sot, Edi Rama ka 10% më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991

Ish-kryeministri Sali Berisha në një takim me mbështetësit e tij në Patos ka folur naftën në vendin tonë, ku tha se qeveria e kryeministrit Edi Rama ka bërë gjithçka për t’i mbyllur pa dëmshpërblime.

Berisha shtoi se rafineritë po çohen për skrap ndërsa shtoi se sot Rama ka 10% më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991.

“Nafta nga një faktor pasurimi, ngrohtësimi për ju, u shndërrua në faktor fatkeqësie. Të gjithë i keni parasysh shpërthimet në Patos, Marinzë. Shkatërrimet që sollën ato shpërthime. Pasojat më të mëdha i sollën në shëndetin e njerëzve. Cili qe qëndrimi? Qëndrimi ishte çnjerëzor. Jo vetëm që qeveria nuk qëndroi në anën tuaj, por bëri gjithçka ta mbyllte problemin pa dëmshpërblime. Bëri gjithçka të falsifikonte analizat që tregonin lëndë toksike të dëmshme dhe të rrezikshme për shëndetin e banorëve. Bëri gjithçka që të fshihte autorët e vërtetë vetëm pse ishin miq të kreut të Meduzës. Mediat treguan se pas kompanisë qëndronte George Soros. Qeveria injoroi çdo gjë. Së fundmi në veprim antiqytetar, hoqi rentën. Renta është detyrim ndërkombëtar që ta dini ju. Çfarë është kjo organizatë? Kjo i detyron kompanitë e mëdha të naftës që të jenë sociale, të kujdesen për komunitetin, të investojnë. Kjo i detyron qeveritë që anëtarësohen, që një pjesë të mirë të rentës të mos e marrin vetë por ta lënë për banorët. Nga heqja e rentës, të gjitha paratë shkuan në xhepat e miliarderëve. Kjo qeveri ndan me ta paratë, se ndryshe nuk mund ta hiqte kurrë rentën, sepse ajo është për qytetarët. Tani po shndërrojnë në skrap rafinerinë pasi vodhën qindra miliona euro. Pse unë po ndalem në këto probleme? Sepse dot ky përvjetor është kushtrim i madh për çdo demokrat që të bashkohemi në një mision të madh për të hedhur mënjanë diktaturën e drogës dhe krimit që është instaluar në Shqipëri. Sot Edi Rama ka 10% më shumë pushtet se Ramiz Alia në vitin 1991”, tha Berisha.

Berisha ka akuzuar dhe Agron Kapllanajn se ka përfituar 32 milionë euro fonde nga shteti shqiptar, në një kohë kur bashkitë qeverisen nga socialistë.

Duke iu referuar si “Pallat Kapllani”, Berisha e quan Kapllanin dhe Lulzim Bashën “gjakpirës” që pasurohen në kurriz të qytetarëve.

“Çfarë zgjedhjesh bën ai që i thotë demokratëve se në antikuvendin e tij marrin pjesë 5004 delegatë kur salla kishte gjithsej 1958 karrige. Mos harroni që ato janë vendime të paligjshme.  Edi Rama dhe Lulzim Brava janë në garë si e si të shtypin më shumë votën e lirë dhe liritë tuaja. Do ju bëj një pyetje, demokratëve të Patosit; Me cilin je ti, me atë që ju hedh gaz helmues, bomba shurdhuese, lëndë neuroparalizuese votuesve të tij që nuk ka ndodhur kurrë më parë, apo me demokratët e Patosit dhe krejt Shqipërisë që duan të qëndrojnë si demokratë të vërtetë dhe që duan të luftojnë kundër regjimit? Shtrojani pyetjen çdo demokrati, me cilin je ti me Lul Bravën e Parkut të 4 hajdutëve, që ka shitur selinë për të ndërtuar pallate me Ramën dhe Veliajn, me cilin je ti me Pallat Kapllanin që fiton gjatë qeverisjes socialiste dhjetëra milionë euro dhe vjen prish shtëpitë e njerëzve për të ndërtuar pallate me Lulzim Bashën. Këta janë gjakpirës more, janë hajdutër, asgjë më shumë. Ti them unë atij Pallat Kapllanit, si i fitove 32 milionë euro me bashkitë socialiste këtë periudhë? Sa pagove? Tani na hiqesh si demokrat. Ti je një turp që duhet të largohesh menjëherë nga PD. Sigurisht se mund të ketë marrë ndonjë pallat te Parku 4 hajdutëve”, tha ai./albeu.com


Shtuar 26.01.2022 17:04