Debati për Butrintin, Hodges paralajmëron në Log: Për 30 vite gjysma e Parkut do të fundoset nën ujë

Anëtari i bordit të Fondacionit për menaxhimin e Parkut të Butrintit, Richard Hodges i ftuar në emisionin “Log” në Abc ka reaguar në lidhje me debatin e bujshëm që është ngritur në Shqipëri, ku një pjesë e madhe e deputetëve shqiptarë dhe e shoqërisë civile janë shprehur kundër formës së re të menaxhimit të Butrintit si edhe kundër arkeologut të huaj.

Richard Hodges thotë se Butrinti ka nevojë për menaxhim të mirë dhe të kujdesshëm, pasi në 30 vitet e ardhshme parashikohet që gjysma e Butrintit të mbulohet nga uji, si pasojë e rritjes së temperaturave.

Arkeologu britanik pohon gjithashtu se ADF nuk do sjellë në Shqipëri para të donatorëve të ndrydhëm për të menaxhuar Parkun e Butrintit.

Pyetje- A jeni në dijeni që shumë deputetë në Shqipëri janë kundër formës se re të menaxhimit të Butrintit dhe bordit?

“Mendoj se janë pak konfuz, sepse Butrinti u bë menjëherë një vend shumë i njohur. Është debat i mirëpritur. Nuk është ndryshe nga debati për parkun arkeologjik në 1999.

Diskutimi i parë atëherë ka pasur të njëjtin kundërshtim si plani tani. Është pjesë e strategjisë të qeverisë shqiptare për trashëgiminë kulturore. Ky përditësim është i rëndësishëm. Arsyeja e parë është fama e Butrintit, ka sjellë shumë sfida të ndryshme dhe kosto për mirëmbajtjen. Më 2019 ka tërhequr 300 mijë vizitorë.
Rama e di se sa kujdes do Butrinti.

Ai ka nevojë të menaxhohet me kujdes. Në 30 vite gjysma e Butrintit do të ndodhet nën ujë. Parashikohet që do të rritet temperatura dhe çdo gradë celcius do të thotë që do të rritet niveli i ujit. Për 50 vite një përqindje e Butrintit mund të jetë katër metra nën ujë. Duhet të menaxhoni parkun.

Prandaj ADF nuk do të sjellë vetëm paratë e tyre , por edhe të donatorëve të tjerë. Nuk është mirë që të buzëqeshni për diçka të tillë”, u shpreh Richard Hodges në emisionin Log me gazetar Endri Xhafon.

Parku Kombëtar i Butrintit ka qenë një nga temat e nxehta gjatë ditëve të fundit mes opozitës dhe mazhorancës.

Komisioni i Ekonomisë miratoi të hënën e 9 majit projektligjin i cili parashikon që menaxhimi i kësaj pasurie kombëtare të bëhet nga një studio e huaj.

Marrëveshja mes qeverisë shqiptare dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, që parashikon administrimin e këtij parku është parë me dyshim nga opozita.

Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit është krijuar me një marrëveshje mes Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim, AADF, një korporatë jofitimprurëse e regjistruar në Delaware të Shteteve të Bashkuara, i cili ka mbështetur dhe hartimin e planit të biznesit për menaxhimin e Butrintit.

Opozita ka ngritur si shqetësim transparencën e këtij menaxhimi, duke e cilësuar një kontratë koncensionare mbi një pasuri kombëtare dhe përfshirjen e AADF-së në menaxhim si konflikt interesi, pasi më herët ky fondacion ka financuar ekspertizën për ndryshimin e ligjit për trashëgiminë kulturore dhe hartimin e planit të biznesit. /abcnews.al/


Shtuar 19.05.2022 22:58