Debati në mbledhjen e sotme çoi deputetët e Komisionit Hetimor tek inceneratori që futi në burg ish-ministrin Koka

Deputetët e Komisionit Hetimor për Inceneratorët kanë mbërritur në inceneratorin e Elbasanit pas mbledhjes së mesditës së sotme që u shoqërua me debate.

Ata pritet të bëjnë një inspektim mbi aktivitetin e këtij inceneratori që ishte në qendër të skandalit disa milion euro, duke bërë që të arrestohej ish-ministri Lefter Koka si edhe të shpallen në kërkim Stela Gugallja dhe Klodian Zoto.

Debatet

Vijoi debate mes deputetëve mbledhja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët. Kryetarja e komisionit Jorida Tabaku e ka cilësuar skenë krimi inceneratorin e Elbasanit duke shkaktuar edhe reagimin e deputetes socialiste Ermonela Felaj, e cila tha se në fakt, ky investim ka përmirësuar cilësinë e ajrit në qytet.

Tabaku theksoi se Inceneratori i Elbasanit quhet skenë krimi pasi në emër të tij është arrestuar një ish-ministër dhe tre persona të tjerë janë shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Është një skenë krimi. Çdo mbrojtje është mbrojtje politike për këtë grup kriminal me 3 persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe 1 ministër të arrestuar “, tha Tabaku, ndërsa deputeti demokrat Luçiano Boçi tha se në krye të të gjithë kësaj skeme qendron kryeministri Rama.

Përballë këtyre akuzave, Felaj tha se situata tani në Elbasan është më mirë sa i përket pastërtisë së ajrit krahasuar me periudhën para funksionimit të inceneratorit.

“Ka përmirësuar cilësinë e ajrit në atë qytet. Situata mjedisore në Elbasan nuk ka qenë kaq rozë, por ka qenë e rënduar dhe kërkonte ndërhyrje. Prandaj u shpall emergjenca mjedisore”, tha Felaj.

Deputetët vendosën që të bëjnë një inspektim edhe në inceneratorin e Elbasanit ashtu siç bën edhe në Fier pak ditë më parë.

Inceneratorët kanë qenë kryefjalë në dy vitet e fundit në Shqipëri, ndërsa ditën e sotme çështja u rikthye sërish pasi Prokuroria e Posaçme Anti-Korrupsion arrestoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe shpalli në kërkim dy emra të tjerë të njohur që kanë në pronësi kompanitë, Stela Gugallia dhe Klodian Zoto.

Aktualisht në Shqipëri janë tre inceneratorë, Tiranë, Elbasan dhe Fier. Opozita ka bërë akuza të forta për lidhje të politikanëve dhe zyrtarëve të lartë në rang ministrash por edhe kryebashkiakësh me skemën e inceneratorëve që e cilëson vjedhje të hapur të milionave eurove. PD dhe LSI depozituan dy padi duke vendosur SPAK-un në lëvizje që ditën e sotme solli arrestimin e bujshëm.

Çfarë janë inceneratorët?

Trajtimi i mbetjeve me djegie ose njohur ndryshe me incenerim është një metodë e njohur. Në Shqipëri impiantet u ndërtuan me fondet e buxhetit të shtetit. Djegia e materialeve të mbetjeve konverton mbeturinat në hi, gaz dhe nxehtësi. Energjia e gjeneruar nga djegia e plehrave edhe sipas kushteve të parashikuara në kontratat e inceneratorëve të miratuar në Shqipëri duhet të përdorej më pas për të gjeneruar energji elektrike.

Kur nisi historia?

Historia e djegies së mbetjeve me qëllim prodhimin e energjisë nisi në dhjetor të vitit 2014, kur qeveria shqiptare shënoi një kthesë 180 gradëshe nga strategjia kombëtare e miratuar në përputhje me direktivën e Komisionit Europian. Kjo strategji i jep prioritet parandalimit dhe riciklimit të mbetjeve, ndërkohë që e konsideron asgjësimin si opsion të fundit.

Në 2015 filluan që të konkretizohen lëvizjet dhe të përkthen në veprime ligjore për kontratat koncesionare të inceneratorëve. Impiantet e trajtimit të mbetjeve nëpërmjet metodës së incinerimit përmes koncesioneve Partneritet Publik – Privat në qytetet Elbasan, Fier dhe Tiranë janë politikat më të debatuara të qeverisë.

Qeveria ka firmosur tre kontrata koncesionare për ndërtim inceneratorësh në Elbasan, Fier dhe në Tiranë me një vlerë investimi prej 178 milionë eurosh në total. Politika e menaxhimit të mbetjeve është kritikuar në progres-raportin e Bashkimit Europian të vitit 2018.

Pronarët e PPP-ve

Fituesit e koncesioneve janë një rrjet kompanish të vogla në ortakëri me njëra-tjetrën si dhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale me pronarë të panjohur.  Inceneratori i Elbasanit u fitua nga kompania “Albtek Energy” më 12 dhjetor 2014 për 2.1 mln euro. Kompania është themeluar më 10 korrik të 2014 nga Stela Gugallja. Inceneratorin e Tiranës e fitoi kompania “Integrated Energy B.V S.P.V” pas ofertës prej 128 mln eurosh më 31 gusht 2017. Kompania rezulton e regjistruar në Holandë me drejtues Klodian Zoton. Inceneratori i Fierit u fitua nga kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” e themeluar në tetor të 2016. Kompania zotërohej fillimisht nga “Integrated Energy Services” me 80 për qind dhe dhe kompania italiane “Energy 2” me 20 për qind të aksioneve.

Kostot

Në vendin tonë janë aktualisht tre kontrata për inceneratorë, Elbasan, Fier dhe Tiranë. Koncesioni i trajtimit të mbetjeve Elbasan (Albtek Energy), me kosto totale prej 5.3 miliardë lekësh ka kapacitet përpunues do të jetë rreth 120-140 ton/ditë, sipas deklarime zyrtare në kontratë.

Inceneratori i trajtimit të mbetjeve Fier (“Integrated Technology Waste treatment Fier”) ka një kosto totale prej 3.97 miliardë lekë. Kapaciteti përpunues 180-200 ton/ditë. I treti është trajtimi i mbetjeve Tiranë (“Integrated Energy B.V shpk”), me kosto totale 31.17 miliardë lekë dhe kapacitet përpunues 550-800 ton/ditë.

Koka dhe funksionimi i skemës që zbuloi SPAK?

Ish- ministri i Mjedisit Lefter Koka është arrestuar, ndërsa janë shpallur në kërkim biznesmenët Klodian Zoto dhe Stela Gugallja për aferën e ndërtimit të inceneratorëve. Në njoftimin zyrtar të prokurorisë së posaçme bëhet me dije se, ndaj Kokës janë ngritur katër akuza, “Shpërdorimi i detyrës”, “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.

Biznesmeni Klodian Zoto që është pronari I kompanisë “Albtek Energy” që ka në zotërim inceneratorin e Elbasanit dhe Stela Gugallja që zotëron kompaninë “Integrated Technology Services” që ka ndërtuar inceneratorin, përmes një skeme fiktive kanë kaluar për llogari të ish-ministrit dy shuma monetare në këmbim të dhënies së licencës. Sipas prokurorisë, Zoto me kompaninë e tij ka kaluar për llogari të disa kompanive të ish-ministrit dhe familjarëve të tij shumën prej 2 milionë e 950 mijë euro, me pretendimin se janë paguar punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto kompani.

Në të njëjtën formë edhe kompania në zotërim të Gugallës ka kaluar një shumë prej 735 mijë euro. Në total këta biznesmenë kanë paguar 3 milionë e 685 mijë euro shoqërive që dyshohet se janë në pronësi të ish ministrit Koka dhe familjarëve të tij. Prokuroria pretendon se tenderi për ndërtimin e inceneratorit të Elbasanit është përfituar në shkelje të ligjit.

Në procedurën e ndjekur për dhënien e koncensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, por ligji parashikon që për dhënien e koncensionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: A) procedura e hapur; B) procedura e kufizuar; ose procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Për këtë, prokuroria bën përgjegjës ish-ministrin Koka si personi që ka organizuar tenderin dhe fitues është shpallur kompania në pronësi të Zotos.

Ndërkohë SPAK ka vendosur nën sekuestro inceneratorin e Elbasanit, kompaninë që e ka ndërtuar si dhe 88 përqind të aksioneve të kantinës së njohur të pijeve alkoolike Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pronësi të Lefter Kokës. Hetimi i SPAK ka nisur pas kallëzimit të PD dhe LSI. /abcnews.al