Mbledhja e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Administrativo-Territoriale u zhvillua mes përplasjesh verbale mes përfaqësuesve të Partisë Demokratike dhe atyre të Partisë Socialiste.
Në qendër të debatit ishin socialisti Erion Isai dhe demokrati Luçiano Boçi, ndërsa në diskutim ndërhyri edhe deputetja Ina Zhupa.
Të lidhura
None found
Erion Isai tha se është ai që pranon se rrugët rurale nuk janë mirëmbajtur siç duhet dhe shtoi se po flitet për Shqipërinë, duke krahasuar periudhën para vitit 2013 me atë pas 2013-ës. Sipas tij, nuk kishte asnjë arsye që të mos kishte një ndryshim cilësor në qeverisje. Duke iu përgjigjur një komenti të Zhupës për protestat, ai deklaroi se dikur protestohej dhe vritej, ndërsa sot protestohet dhe nuk vritesh, gjë që sipas tij përbën një dallim të madh cilësor.
Luçiano Boçi iu kundërpërgjigj duke thënë se protesta është e bukur dhe se e bëjnë të bukur vetë ata që protestojnë, në dallim nga protesta që, sipas tij, Isai kishte përmendur, ku njerëzit shkonin aty dhe më pas vriteshin. Ai shtoi se kur dikush vjen për të vrarë, ndoshta mund të ndodhë edhe ajo, duke i kujtuar Isait se ai i njeh ato ngjarje dhe duke i kërkuar të mos marrë rolin e prokurorit dhe gjykatësit.
Më tej, Isai deklaroi se i vetmi problem është që në shesh mblidhen më shumë pelikani sesa bufi.
Boçi reagoi shkurt duke i thënë: “Lëri tashi”.
Isai vijoi duke thënë se e di si vriteshin njerëzit, pasi ka qenë student i Akademisë së Arteve dhe ka marrë pjesë vetë në protestë.
Në atë moment, Ina Zhupa ndërhyri me pyetjen drejtuar Isait: “Zoti Isai ishe sot në SPAK ti?”
Isai u përgjigj se është kurioz për ata që shkojnë të duartrokasin te dera e SPAK dhe pyeti se kur duartrokasin ata. Ai tha se kishte qenë dhe se do të shkojë sa herë të jetë e nevojshme. Më tej shtoi se pala tjetër e sheh SPAK me dy lupa, një herë në protestë dhe një herë kur e përmendin atë.
Boçi më pas iu drejtua me një tjetër replikë, duke i kërkuar të sqarojë edhe nga ana e “ballafaqimit natyror” se ata që shkojnë në SPAK, në cilin lloj futen, te shpendët apo te kafshët.
Isai e mbylli duke thënë se ata bëjnë pjesë te njerëzit që e pranojnë drejtësinë.
