Dardha “vishet” me të bardha/ Pamje mahnitëse nga fshati turistik (FOTOT)

Dëbora e parë zbardhi disa fshatra në juglindje të vendit, duke sjellë jo vetëm të ftohtin, por edhe çeljen e sezonit turistik dimëror.

Fshati Dardhë një atraksion turistik gjithëstinor, është veshur këtë fundjavë me petka të bardha, duke bërë që operatorët turistikë në zonë të presin dhjetëra turistë dhe vizitorë të apasionuar pas turizmit malor.

“Unë quhem Edro dhe jam nga Brazili. Ështe viti i katërt që vij në Shqipëri, e dashuroj këtë vend. Sot ne Dardhe po luaja në dëborë me familjen time, është dëbora e parë e këtij viti në këtë fshat të bukur dhe po e shijojmë shumë. Vijmë çdo vit ne Dardhe, per te bere ski dhe iu them të gjithë miqve të mi ta vizitojnë këtë vend, sidomos në dimër, pasi Dardha është e veçantë”, – thotë një turist.

“Unë jam Loren, vij nga Brazili. Kam ardhur në Shqipëri me bashkëshortin tim, e vizitojmë vendin tuaj për herë të parë. Me pelqen shume Dardha, me pelqen ajri këtu, debora eshte shume e bukur. Ftoj të gjithë miqtë e mi të vijnë në Dardhë, nuk kam fjalë për këtë vend, për kënaqësinë që më jep. Fatmirësisht nuk patëm vështirësi kur erdhëm këtu, pavarësisht dëborës rruga ishte e kalueshme“, – thotë një turiste tjetër.

Ky fshat veç ajrit të pastër dhe bukurisë përrallore në stinën e dimrit, ofron edhe mundësinë për të zhvilluar aktivitete sportive dimërore, ku më i preferuari mbetet pista e skive.

Këtu e gjejmë edhe pjesën më të madhe të turistëve.

Fshati turistik i Dardhës, 20 km në juglindje të Korçës, është një nga destinacionet më të veçanta që turistët e zgjedhin në çdo stinë të vitit.

 

 

 

 


Shtuar 17.11.2024 14:26