Janë publikuar pamjet e momentit të sherrit në Vlorë, ku mbeti i vrarë 55-vjeçari Armand Meshahu.
Ngjarja ka ndodhur rreth rreth orës 11:45, në ambientet e një kancelarie në lagjen “Hajro Cakërri” në Vlorë.
Në fotot e publikuara duket momenti kur 33-vjeçari Rei Meta konfliktohet fizikisht me Meshahun. Pas sherrit, Meta e ka goditur 55-vjeçarin dy herë me grusht në kokë duke e lënë të vdekur në vend.
Gati 4 orë më pas, rreth orës 15:45 policia e qytetit njoftoi se kishte arrestuar autorin e dyshuar, Rei Meta. 33 vjeçari banues në Tiranë u shoqërua në ambientet e Policisë, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
Para policisë ai ka deklaruar se shkak për sherrin është bërë një shumë parash, që Armando Meshau ia kishte për të dhënë.
“Me Armandon kam pasur një konflikt të hershëm për çështje lekësh. Unë para disa kohësh kisha ndërmjetësuar tek një tjetër person që Armando të blinte një sipërfaqe toke. Ai më kishte premtuar se nëse do të mund të blinte atë tokë, unë do të përfitoja prej tij një shumë lekësh, por që nuk më tha se sa. Pas disa kohësh mora vesh se ajo sipërfaqe toke ishte blerë nga Armando dhe kam shkuar disa herë ta takojë e t’i kërkoja lekët që më kishte premtuar”. – ka thënë ai në polici.
Kujtojmë që 33-vjeçari Rei Meta është i punësuar si doganier, dhe është djali i anëtares së Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Nurihan Meta (Seiti), emri i së cilës qarkulloi gjerë në media vitin e kaluar, pasi votoi kundër Altin Dumanit, i cili sot mban postin e kreut të SPAK. Vota e saj shkoi për kandidatin tjetër në garën për kreun e SPAK, Edvin Kondilin.