Sindroma “Covid i gjatë” është një përkufizim i ri në sistemet shëndetësore, që po merret me trajtimin e personave që kanë mbetur me pasoja në shëndet nga infektimi me koronavirus.
Në Shqipëri vlerësohet se rreth 20 mijë persona aktualisht janë në fazën e “Covid-it të gjatë”. Ata vuajnë nga dëmtimet në formën e fibrozave në mushkëri, paaftësia fizike, çrregullime psikike, nervore, lodhje kronike, depresion etj.
Pasoja të tilla zgjasin 4-5 muaj, por edhe më shumë pas kalimit të infeksionit.
Që nga fillimi i pandemisë, deri në mes të tetorit 2021, Shqipëria numëron mbi 175 mijë persona të infektuar zyrtarisht me sindromën e rëndë akute të frymëmarrjes Sars-Cov-2 dhe me rreth 10 mijë vdekje shtesë nga marsi 2020-mars 2021, sipas të dhënave nga INSTAT.
Një pjesë e të infektuarve do të kthehen në të sëmurë kronikë.
Sipas vlerësimeve nga Poliklinika e Trajtimit të Mushkërive, rreth 20% e pacientëve vuajnë nga një lodhje e gjatë kronike, e cila zgjat në kohë. Pacientët me këto simptoma nuk ndihen si më parë gati edhe një vit pasi kanë kaluar infektimin.
Depresioni dhe prekja e sistemit nervor është një nga simptomat kryesore e “Covid-it të gjatë” edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën. Në 4-mujorin e parë të vitit 2021, shtrimet në pavijonet e spitalit psikiatrik u rritën me 68% në krahasim me 4-mujorin e parë të vitit 2020, sipas burimeve zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë./Monitor.al