Përkushtimi i Gjermanisë ndaj Kosovës është i palëkundur. Kështu u tha në shënimin e 25 vjetorit të bashkëpunimit zhvillimor ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me ç’rast është prezantuar edhe dizajni i “Buddy Bear”, si simbol i miqësisë mes dy shteteve.
Zëvendës Ambasadori i Ambasadës Gjermane në Prishtinë, Matthias Conrad tha se qëndrojnë përkrah Kosovës, jo vetëm si partner dhe aleat, por si mik i vërtetë, duke ndarë vizionin e ardhshëm për një Evropë të begatë dhe të sigurt.
Ai potencoi se që nga viti 1999, Gjermania ka i investuar afër një miliardë euro për ndërtimin e infrastrukturës, nxitjen e rritjes ekonomike, rritjen e shërbimeve sociale, fuqizimin e komuniteteve, inovacionin, punësimin, integrimin në BE e të tjera.
Conrad shtoi se mbështesin dëshirën e Kosovës për t’u integruar në familjen euroatlantike.
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha se Gjermania është partneri kryesor tregtar për Kosovën.
Përveç kësaj, ajo tha se shteti gjerman është partneri kryesor për investime dhe për sigurinë e Kosovës.
Hajdari potencoi se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, shteti gjerman ishte ndër donatoret më të drejtë, duke ofruar zotimet të reja për ndihmën dhe bashkëpunimin me vendin tonë
Ndërkaq, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama u shpreh mirënjohës për gjithçka që shteti gjerman ka bërë për Kosovën.
Ai tha se prezantimi i “Buddy Bear”, është simbol i partneritetit të përbashkët dhe miqësisë ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës.
Simboli “Buddy Bear”, i prezantuar sot në 25 vjetorin e bashkëpunimit mes dy vendeve, është punuar nga artisti Taulant Qerkinaj i njohur si Taki.