Dy shqiptarë janë arrestuar nga policia italiane pasi shtetasit kishin pasaporta false si dhe ishin bërë gati të hipnin në një aeroplan që nisej nga aeroporti Salento i Brindizit për në Londër.
Sipas mediave italiane, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 20 shtatorit kur agjentët e Polaria (Policia Kufitare Ajrore) prangosën në aeroport një 31-vjeçare shqiptare dhe një 27-vjeçar të së njëjtës kombësi.
Dokumentet e falsifikuara ishin të besueshme dhe mund të mashtronin policët në një kontroll të përciptë. Qëndrimi i të dyve, të cilët dhanë informacione konfuze dhe gjenerike për origjinën dhe qëllimin e udhëtimit të tyre, i vuri në dyshim agjentët, të cilët në atë moment i nënshtruan dokumentet një analize më të thellë.
Jo vetëm me sy të lirë, por nëpërmjet përdorimit të pajisjeve shkencore. Kështu doli se dokumentet e ekspozuara nga pasagjerët, edhe pse në dukje ishin shumë të ngjashme me ato autentike, nuk kishin elementet e sigurisë të pasaportave të lëshuara nga autoritetet. Më pas policia arrestoi 31-vjeçaren dhe 27-vjeçarin./albeu.com