Çfarë ndodhi gjatë natës në Berat, policia blindon rrugët e qytetit

Kontrolle policore janë zhvilluar gjatë natës në qytertin e Beratit. Mësohet se në aksion janë përfshirë të gjitha strukturat e policisë së qarkut dhe kontrolli është kryer në pikat kryesore hyrëse dhe dalëse.

Postblloqe policore janë janë ngritur paralelisht me Beratin edhe në të katër bashkitë e tjera të qarkut. Inspektorët e krimeve, forcat Shqiponja e deri tek ata të qarkullimit rrugor kanë qenë pjesë e aksionit.

Burime policore bëjnë me dije se ky aksion ka si qëllim kapjen e personave në kërkim, uljen e kriminalitetit dhe rritjen e sigurisë rrugore. Në të gjitha automjetet që janë ndaluar në këto postblloqe janë bërë kontrolle të imtësishme për drogë e armë, ndërkohë që janë kontrolluar edhe personat që drejtonin automjetet, nëpërmjet identitetit të tyre, për të verifikuar nëse janë apo jo persona në kërkim policor në Berat apo në qytete të tjera. Gjatë kontrolleve janë verifikuar edhe dokumentacionet e mjeteve si dhe lejet e drejtimit. Burimet zyrtare të policisë konfirmojnë se vetëm në 3 orët e para të këtij aksioni janë kontrolluar rreth 120 automjete dhe janë vendosur edhe masa administrative për ata drejtues mjetesh që kanë rezultuar me mangësi në dokumentacion dhe me shkelje.

Gjatë aksionit policia ka ushtruar kontroll fizik për armë, drogë e sende të tjera të kundërligjshme mbi 155 shtetas që kanë kaluar me automjete në postblloqet e ngritura. Mësohet se postblloqet policore do të vijojnë të qëndrojnë disa ditë me radhë në rrugët e qarkut të Beratit. Detajet e aksionit pritet të komunikohen nga policia në vijim.


Shtuar 11.11.2023 07:28