Thashethemet për një lidhje mes Kim Kardashian dhe Lewis Hamilton vijojnë të marrin vëmendje, ndërsa dyshja duket se po “ushqen” spekulimet me veprimet e tyre në rrjete sociale dhe daljet publike.
Së fundmi, Kardashian ndau në Instagram disa imazhe dhe video nga përgatitjet për mbrëmjen e “Vanity Fair Oscars Party 2026”, ku u shfaq me një fustan të artë Gucci, të ngushtë pas trupit, të kombinuar me taka platformë dhe aksesorë elegantë. Look-un e kompletoi me grim të theksuar të syve dhe lente blu, ndërsa në përshkrim shkroi shkurt: “GUCCI GIRL”.
Mes komenteve të shumta, vëmendje mori reagimi i Hamilton, i cili la vetëm një emoji “😍”, duke nxitur edhe më shumë dyshimet për një raport më të afërt mes tyre.


Kjo nuk është hera e parë që emrat e tyre lidhen së bashku. Vetëm pak javë më parë, të dy u panë në Arizona, pranë Lake Powell, ku u fotografuan duke shëtitur së bashku në perëndim të diellit. Edhe pse publikuan pamje nga i njëjti vend në rrjetet sociale, ata shmangën të shfaqeshin krah njëri-tjetrit.
Raportime të tjera i kanë vendosur në Paris në fillim të shkurtit, ndërsa janë parë së bashku edhe gjatë Super Bowl 2026. Burime pranë tyre kanë bërë me dije se mes tyre ekziston një afërsi dhe komoditet, pasi njihen prej vitesh.
Megjithatë, deri më tani, as Kardashian dhe as Hamilton nuk kanë konfirmuar publikisht natyrën e marrëdhënies së tyre, duke lënë gjithçka në kuadër të spekulimeve.
