Çfarë është ora e artë pas lindjes, pse mjekët shqiptarë duhet ta kthejnë në praktikë

Kultura jonë në përgjithësi e heq foshnjën nga nëna sapo të lindë. Shtrëngimi dhe prerja e kordonit, kryerja e kontrolleve të ndryshme të të porsalindurve dhe ‘pastrimi i tyre’ bëhen menjëherë pas lindjes. Por, duke vepruar kështu, mos ndoshta po neglizhojmë një fragment shumë të rëndësishëm dhe natyral për shëndetin e fëmijës dhe nënës, por edhe për sigurimin e një lidhjeje më të ngushtë mes tyre?

Michael Odent sugjeron se “Ora pas lindjes është padyshim një nga fazat më kritike në jetën e qenieve njerëzore”. Nëse është kështu, ja pse të kalosh një orë të pashqetësuar me fëmijën tënd të porsalindur, mund të jetë jashtëzakonisht e dobishme për ju të dy, dhe mund të jetë diçka që ia vlen të shtohet në planin tuaj të lindjes.

Sapo të lindë foshnja, mund të vendoset lëkurë-më-lëkurë mbi nënën e tij dhe të dy të mbulohen me një batanije për t’i mbajtur të ngrohtë dhe të relaksuar.  Prodhimi i oksitocinës, ose i hormonit të dashurisë siç mund të përmendet me dashuri, promovohet më tepër. Oksitocina nga ana tjetër ndihmon në promovimin e sjelljes së nënës dhe gjithashtu mund të inkurajojë ushqyerjen me gji.

Një orë e pashqetësuar mund të ndihmojë në mbështetjen e fiksimit optimal të kordonit. Ndërsa nëna dhe foshnja shijojnë momentet e tyre të para së bashku, kordoni mund të lihet i paprekur, kështu që fëmija merr të gjitha mirësitë e mrekullueshme që mbeten në placentë.

Të qenit lëkurë-më-lëkurë gjithashtu ndihmon beben të rregullojë temperaturën dhe frymëmarrjen e tij: mos harroni se ata marrin frymë për herë të parë dhe të qenit në krahët mbrojtës të nënës së tyre, lëkurë-më-lëkurë, do ta ndihmojë dhe lehtësojë këtë proces.

Mos u shqetësoni nëse nuk ndjeni një dashuri të menjëhershme për foshnjën tuaj. Lindja mund të jetë një përvojë mjaft dërrmuese dhe ato ndjenja të dashurisë së fortë mund të kërkojnë pak kohë për t’u ndërtuar. Ju dhe fëmija juaj do t’i gëzoni të gjitha përfitimet e një ore të pashqetësuar, pas lindjes.

Konkretisht “Ora e Artë” përfshin një sërë praktikash të bazuara në prova që kontribuojnë në stabilizimin fiziologjik pas lindjes, të dyshes nënë-i porsalindur. Elementë të rëndësishëm të “Orës së Artë” përfshijnë:

– prerjen e vonuar të kordonit,

– kontaktin lëkurë-më-lëkurë për të paktën një orë,

– kryerjen e vlerësimeve të të porsalindurit,

– shtyrjen e detyrave jo urgjente (p.sh., larjen e të porsalindurit) për 60 minuta

– dhe fillimin e hershëm të ushqyerjes me gji.

Ora e Artë kontribuon në termo-rregullimin neonatal, uljen e niveleve të stresit te nëna dhe i vogli i saj, si dhe përmirësimin e lidhjes nënë-foshnje. Zbatimi i këtyre veprimeve shoqërohet më tej me rritjen e kohëzgjatjes së ushqyerjes me gji. Kjo periudhë kohore është një faktor integral në udhëtimin e gjidhënies nëse nëna zgjedh ta bëjë këtë.

Hulumtimet tregojnë se foshnjat që kanë pasur kontakt direkt pas lindjes lëkurë-më-lëkurë me nënën, e kanë kapur më shpejt gjirin dhe janë lidhur më tepër me të. Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që të gjitha nënat që duan të ushqejnë me gji të kalojnë kohë lëkurë-më-lëkurë menjëherë pas lindjes me fëmijën e tyre.

Ushqyerja me gji herët mund të përshpejtojë daljen e placentës, duke zvogëluar rrezikun e hemorragjisë pas lindjes (e quajtur gjithashtu PPH). Kontakti lëkurë me lëkurë rekomandohet madje edhe jashtë mureve të dhomës së lindjes. Këshilla më e mirë për nënat është që të mos e nënvlerësojnë kurrë fuqinë e kontaktit lëkurë-më-lëkurë me foshnjën, edhe pas asaj “Ore të Artë” fillestare./Burimi “PËR NËNAT”


Shtuar 5.08.2021 23:21