Çfarë është Melanoma, si të zbuloni shpejt dhe të parandaloni kancerin e lëkurës

Instituti i Shëndetit Publik jep disa këshilla jetike në Ditën Botërore të Melanomës, lidhur me parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kësaj sëmundjeje.

ISHP thekson se “Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë”.

Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Melanoma mund të formohet gjithashtu në sy dhe mjaft rrallë në organet e brendshme si p.sh. zorrët.

Mesazhi i ISHP:

Qëllimi i Ditës Botërore të Melanomës është rritja e ndërgjegjësimit ndaj kancerit të lëkurës.

-Melanoma është një nga llojet më të rrezikshme të kancerit të lëkurës. Ajo zhvillohet në qelizat ku prodhohet melanina, pigmenti që përcakton ngjyrën e lëkurës sonë. Melanoma mund të formohet gjithashtu në sy dhe mjaft rrallë në organet e brendshme si p.sh. zorrët.

Shkaku i melanomës nuk është i qartë, por ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë (UV) të diellit apo solarëve rrit shumë rrezikun e zhvillimit të këtij lloj kanceri. Në faktorët rrezikues ka edhe një komponent gjenetik, i cili luan gjithashtu një rol të rëndësishëm.

Parandalimi dhe zbulimi i hershëm

Masa më e rëndësishme për parandalimin e kancerit të lëkurës është një mbrojtje efektive nga rrezet ultravjollcë:

-Të shmanget me çdo kusht djegia nga dielli.

-Të qëndrohet në hije në orën 11 – 15, atëherë kur ngarkesa me rreze UV është më e madhe.

-Të mbahen kapelë, syze dielli dhe rroba të përshtatshme.

-Të përdoret krem me faktor të lartë mbrojtës.

-Të mos ekspozohen kurrë drejtpërdrejt në diell, foshnjat deri në moshën njëvjeçare.

-Veçanërisht fëmijët është mirë të mbrohen nga dielli.


Shtuar 3.05.2021 10:37

Tags: