Avokati i familjes së Lulzim Fejzullahut që u rrah për vdekje nga dy adoleshentë, Tom Gashi, kërkon dënim maksimal për autorët.
Në një intervistë televizive, Gashi e cilësoi vrasjen e 18-vjeçarit një krim të rëndë, ndaj një personi krejt të pafajshëm.
“Ai vdiq në 14 janar. U dha një deklaratë nga policia që nuk përputhej fare, aty thuhej që ishte goditur me thikë, por vdekja ka ardhur nga goditja me mjete të forta. Nuk mund t’i dimë shkaqet konkrete, por duket se ka qenë një zënkë krejtësisht banale te një berber për radhën se kush do të qethet i pari. Duket se të gjithë ata që e kanë njohur Lulzimin kanë vetëm fjalë të mira. Ka qenë një djalë i urtë dhe ajo që e bën situatën më të rënduar, ai ishte jetim. Prindërit i kanë vdekur.
Sulmuesit e kanë goditur fillimisht me makinë dhe më pas kanë përdorur shufra metalike. Është një krim i rëndë, i paprovokuar. Mendjemadhësia e këtyre sulmuese ka sjellë atë situatë. Njëri prej tyre ka pasur edhe dosje penale”.
Duke kujtuar vrasjen e planifikuar nga bashkëshorti të Liridona Ademajt, Gashi kërkon ashpërsim të ligjit.
“Nuk kanë kaluar as dy muaj nga rasti trishtues i Liridonës, e planifikuar nga bashkëshorti. Imagjinoni vrasje me pagesë dhe mund të marrë një dënim jo të duhur. Dënimet e dhëna nga gjykatat tona nuk janë fare në proporcion me peshën e veprës penale.
Politika e dënimeve duhet të ndryshojë, nuk duhet ta lëmë dikë që të vrasë disa persona, por në momentin e parë që dikush kryen një vepër kaq të rëndë penale, të jetë mundësia e dënimit kapital. Për vepra të caktuara penale, në SHBA, nëse i kryen tri herë, e ke të garantuar se do të mbetesh përjetësisht në burgje”.
Sipas avokatit, frika nga dënime maksimale, mund t’i ndalojë individët të kryejnë krime të tilla, duke marrë jetë njerëzish.