Negociatat për çështjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë janë pezulluar, ndonëse nuk ka një akt formal për këtë. Palët kanë shprehur vullnet politik për ta çuar çështjen në një gjykatë ndërkombëtare. Por si shkohet në një gjykatë ndërkombëtare (apo arbitrazhi) dhe çfarë përmban dosja për gjykatën?
Sipas kolonel Myslim Pashajt, ish-drejtor i Institutit Topologjik Ushtarak dhe autor i disa botimeve për çështjen e detit, “gjykata e Hagës në radhë të parë do të kërkojë prezantimin ligjor, gjeografinë e terrenit, vijat bazore, pasi të ndërtohet në mënyrë paraprake një vijë ndarëse me korrektimin e saj për efekte të ishujve, të cektinave, shkëmbinjve etj. dhe faktorëve historikë”.
Profesor Ksenofon Krisafi, anëtar i grupit negociator me Greqinë dhe ish-drejtor i traktatave në MPJ, duke iu referuar edhe eksperiencës së vendeve të tjera, tha se nuk shkohet në një gjykatë ndërkombëtare nëse të dy palët nuk bien dakort për të shkuar.
Dhe kjo, “është pika e parë e marrëveshjes së kompromisit”, sipas tij. “Në rastin tonë, – shtoi prof.Krisafi, – palët nuk kanë rënë dakort, sepse ai që ka rënë dakort (Kryeministri), nuk e ka këtë të drejtë, nuk e ka autorizimin e Presidentit”.
Ky pohim, solli reagimin e analistit Mentor Nazarko: “Fakti që këta e thanë në një konferencë shtypi që ‘ne kemi rënë dakort’, – tha ai, – nuk është se nuk do të kërkojnë autorizim; autorizimi do të kërkohet, pasi vullneti për të shkuar në gjykatë nuk është ende një akt formal”.
Ksenofon Krisafi vuri edhe një herë theksin te materialet që duhet të përmbajë dosja. Nëse marrëveshja dhe pyetja që i shtohet gjykatës për shqyrtim është e dakordësuar mes palëve, dokumentat mbështetëse secila palë i ka të vetat.
Ndaj ky moment, sipas prof.Krisafit, “kërkon një përgatitje serioze, një delegacion të ri dhe sidomos një akt të ri plotfuqie nga Presidenti i Republikës”, duke qenë një marrëveshja është marrëveshje politike shtetërore, nga ato ku shteti përfaqësohet nga kryetari i shtetit edhe sipas interpretimit final të Gjykatës Kushtetuese.
Si profesor Krisafi edhe analisti Nazarko ndanë mendimin se në këtë rast delegacioni do të duhet të asistohet nga një kabinet avokatësh të huaj me eksperiencë në çështje të traktateve, njësoj si Kosova në rastin e padisë serbe në Gjykatën e drejtësisë për çështje e pavarësisë.
Lajmin se kjo asistencë do të ofrohet nga kabineti i Shery Blair, bashkëshortja e ish-kryeministrit britanik Tony Blair, e komentoi përmes një mesazhi të mbërritur në studio deputeti i PD Edmond Spaho, që gazetari Xhafo e lexoi të plotë: “Edhe per CEZ firma e Shery Blair ishte konsulente dhe dolem rruar e qethur”.
Sipas prof.Ksenofon Krisafit, pritet që çështja, nëse shkon në gjykatë ndërkombëtare të mos mbyllet menjëherë. “Ka që zgjasin me dhjetëra vjet, – tha ai, – por ka që zgjasin edhe një vit apo dy-tre vjet”.
Gazetari Xhafo pyeti në fund nëse presidenti i republikës, kushdo qoftë ai, mund ta çojë ose jo vendimin e gjykatës ndërkombëtare në Gjykatë kushtetuese. Kësaj pyetje profesor Krisafi iu përgjigj: “Juridiksioni i Gjykatës Ndërkombëtare është fakultatitv, po të duash shkon, po të duash nuk shkon. Por po shkove, vendimi është i detyrueshëm për t’u zbatuar”./abcnews.al