Ditën e djeshme Izet Haxhia u dënua me 21 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit.
Megjithatë Haxhia nuk e ka pranuar asnjëherë të ketë një rol në këtë ngjarje të rëndë që tronditi vendin në shtatorin e vitit 1998 duke çuar edhe në grushtin e shtetit të 14 shtatorit.
Kujtojmë këtu dhe intervistën e Ajshe Haklaj, motra e madhe e vëllezërve të vrarë Shkëlqim, Halil, Ylli dhe Fatmir Halkajt, e cila pak kohë më parë ka treguar se çfarë ajo di për ekzekutimin e Azem Hajdarit.
Ajo sjell detaje se përse, ish presidenti dhe ish kryeministri Sali Berisha për këtë vrasje përfshiu edhe vëllezërit Izet dhe Ismet Haxhia. Në këtë rrëfim Ajshe Haklaj i jep përgjigje pyetjeve se a kishin një motiv vëllezërit Haxhia të përfshiheshin në këtë vrasje apo dënimi i tyre ishte një sajesë? Motra e madhe e vëllezërve Haklaj shpjegon se cili ka qenë roli i Jaho Mulosmanin në vrasjen e Azem Hajdarit. Ajo riprodhon edhe njëherë atë se çfarë i tha i vëllai Fatmiri se kush ishte personi që e nxori në pritë Azem Hajdarin.
Intervista e saj për mediat:
Çfarë dini ju për çështjen Hajdari dhe si e argumentoni akuzimin e vëllezërve Haxhiaj nga Saliu?
Saliu guxoi të pohojë me gojën e tij se Izet Haxhia u dënua sipas pohimeve dhe akuzave të tij, e kjo do të thotë se të gjithë kundërshtarët e tij janë vrarë, dënuar, dhunuar e persekutuar sipas urdhrave dhe akuzave të tij. Kjo është një gjendje e mjerueshme e drejtësisë shqiptare dhe e vetë popullit sepse ai mund të vritet dhe të dënohet sipas orekseve të politikanëve ose të të shiturve te serbi. E kjo do të thotë përdorim shteti, për të arritur qëllimet e tij private e pushtetare, duke shpërfillur vitet e humbura të njerëzve dhe gjakun e derdhur. Fatmiri e tregoi ngjarjen duke thënë se “Saliu e detyroi Azemin të dilte të më vriste, ndaj ai e vrau atë dhe mua më bëri vrasës. Ne i kishim mbyllur problemet me Azemin, ndaj ai nuk kishte asnjë motiv që të më vriste mua, por ai si gjithmonë u bë vegël e Saliut”, – u shpreh Fatmiri.
Sipas jush përse për këtë vrasje u akuzuan dhe u dënuan me 40 vite burg në total Ismet dhe Izet Haxhia?
Saliu është i aftë në nuhatje dhe ai nuk mund të pranonte që të kishte pranë njerëz që kanë miqësi me Haklajt, të cilët nuk mund t’i joshte me poste e para kundër nesh, ndaj kjo ishte arsyeja që Saliu denoncoi dhe akuzoi Haxhiajt pa pasur asnjë bazë, dëshmi dhe fakt për një gjë të tillë. Por largimi i Izetit duhej motivuar dhe ky ishte edhe motivi më i mirë, që të justifikonte një gjë të tillë. Ismet Haxhia ka punuar për shumë vite me vëllanë tonë Halilin dhe shoqëria e miqësia e tyre nuk është zbehur kurrë, ndaj kjo mjaftonte që Saliu të godiste Haxhiajt dhe të largonte Izetin nga rrethi i të besuarve të tij.
Pas vrasjes së Shkëlqimit, Saliu nuk do të kishte më kthim prapa, ndaj ai e kishte nuhatur se planet e tij ndaj nesh nuk duhej t’i dinin Haxhiajt. Haxhiajt guxojnë të thonë atë që mendojnë, por unë nuk kam dëgjuar kurrë se Haxhiajt kanë bashkëpunuar ose vrarë njeri, ndaj këto kanë dalë vetëm nga goja e Saliut, i cili është vetë në gjendje të bëjë atë që nuk mund t’i shkojë njeriu në mendje, duke akuzuar të tjerët për krimet e veta. Kur njeriu nuk është i inkriminuar, duhet të ketë një arsye madhore ose jetike që të kthehet në vrasës, kështu që Haxhiajt nuk kishin asnjë motiv apo arsye që të bashkëpunonin për vrasjen e Azemit. Ata janë njerëz me karakter të fortë dhe të shkolluar, të cilët nuk mund të bashkëpunojnë në vrasje për interesa të të tjerëve.
Në qoftë se Haxhiajt do të shiteshin dhe do të bliheshin për poste e para, ata do të bashkëpunonin me Saliun për likuidimin tonë, sepse ai mund t’i paguante shtrenjtë dhe t’i gradonte e t’u jepte poste të larta brenda dhe jashtë vendit, kështu që nuk të jepet përshtypja se Haxhiajt mund të vrasin për llogari të të tjerëve. Saliu duhet të japë llogari për denoncimin, akuzimin dhe vitet e humbura nëpër burgje që u ka bërë Haxhiajve, pa pasur asnjë lloj baze dhe prove. Saliu nuk e njeh civilizimin dhe emancipimin, ndaj ai nuk mund të pranonte që shoqëruesit e tij të guxonin të respektonin kundërshtarët e tij, siç ishte rasti ynë me Haxhiajt, ndaj ai vendosi të largonte Izetin.
A besoni se një moment të caktuar Sali Berisha ka reflektuar për vrasjen e Azem Hajdarit cilësuar si vrasje e shekullit?
Unë jam e bindur se Saliu nuk u merakos fare për vdekjen e Azemit, sepse ai i kishte bërë planet mjaft mirë kur e detyroi Azemin të dilte për të vrarë Fatmirin, sepse përndryshe ai do të lajmëronte policinë, në qoftë se ndihej i pasigurt me qëndrimin e Fatmirit në oborrin e PD-së. Por pse vallë ndihej i pasigurt, apo Saliut i erdhi në mendje se lajmin për vrasjen e Shkëlqimit e mori vetë ai përpara familjes së Shkëlqimit. Oborri i PD-së nuk ishte oborri i ambasadës së tij. Saliu ishte i sigurt që njëra palë do të vritej, por ai e kishte llogaritur mirë që të përfitonte në të dy rastet, siç edhe u vërtetua.
Shpata e Saliut priste në të dyja anët, duke përfituar politikisht nga njëra anë, dhe duke eliminuar kundërshtarët nga ana tjetër, por njëkohësisht duke gjetur motivin për të larguar Izetin dhe akuzuar edhe vëllanë e tij, të cilët nuk po e kuptonin që duhej distancuar nga Haklajt, të cilët Saliu i donte të vdekur. Saliu ishte tashmë i bindur se Haxhiajt nuk do të përfshiheshin në betejën kundër Haklajve. Këto janë arsyet që e kanë shtyrë Saliun për të akuzuar dhe denoncuar Haxhiajt, të cilët nuk mund t’i përdorësh ku të duash dhe si të duash. Ata janë njerëz të vendosur në parimet e tyre. Kapacitetet e tyre nuk lejojnë të bëhen bashkëpunëtorë krimi. Familja e tyre historikisht ka qenë dhe mbetet një familje dinjitoze, e respektuar dhe aspak vrasëse.
A keni lidhje gjaku me Jaho Mulosmanin dhe cili ka qenë roli i tij në vrasjen e Azem Hajdarit?
Saliu denoncoi Jaho Mulosmanin si vrasës të Azem Hajdarit, duke i mohuar edhe mbiemrin e tij Mulosmani. Në Shqipëri dhe në të gjithë botën, njerëzit thirren në mbiemër dhe jo në emrin e babait, por siç duket, edhe ne gabojmë që nuk e thërrasim Saliun, Sali Rama. Babai i Jahos u vra ndërsa po shkonte në punë. Ai ishte punonjës i SHIK-ut dhe nuk kishte asnjë lidhje me krimin. Vrasja e tij nuk është zbardhur sepse Saliu nuk ka urdhëruar që të zbardhet vrasja e tij, por ka urdhëruar që t’i burgoset edhe djali i tij, vetëm e vetëm se është daja dhe miku i Haklajve. Unë mendoj se Sali Rama nuk kishte kurajë të thoshte mbiemrin e Jahos, sepse e dinte mirë që po akuzonte pa baza një pjesëtar të një familjeje e fisi mjaft të njohur, siç ishin Mulosmanët. E pikërisht banesa e Jahos ishte ajo banesë në të cilën është bërë Konferenca e Bujanit, që mori vendimin për bashkimin e trojeve shqiptare pas Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, ku dhe stërgjyshi i Jahos, Sali Man Mulosmani, ka qenë deputeti i parë në rrethin e Tropojës. Gjithashtu, dy prej nipave të tij kanë qenë komandantë batalionesh në Brigadën e 25-të sulmuese gjatë luftës dhe po në këtë luftë ka rënë dëshmor kundër gjermanëve vëllai i gjyshit të Jahos, emrin e të cilit e mbanë vetë Jaho.
Pikërisht burrat e kësaj familjeje patriotike dhe atdhetare shoqëruan deri në vdekje dhe luftuan heroikisht krah për krah heroit të popullit Bajram Curri deri në çastet e fundit të jetës së tij. E ky fis i njohur për besë e burrëri, patriotizëm e atdhedashuri, nxori edhe Heroin e Popullit Mic Sokoli, i cili e hodhi në erë topin me gjoksin e tij. Ndaj unë mendoj se edhe nëna jonë e cila vjen nga kjo familje, nuk u dorëzua kurrë, por qëndroi si një përmendore edhe pse monstra Berishiane i mori katër nga fëmijët e saj. Ai e akuzoi dhe e denoncoi publikisht Jaho Mulosmanin pa baza e fakte, dhe me gjyqe të montuara e gjyqtarë të komanduar, duke e dënuar me burgim të përjetshëm, vetëm e vetëm se ishte ndodhur në një vendngjarje, ku ngjarjen e kishte kurdisur vetë Saliu.
Cili është mesazhi yt ndaj drejtësisë shqiptare?
Njerëzit duhet të jenë të barabartë para ligjit dhe Saliu duhet të përgjigjet për krimet e tij kundër njerëzimit. Ai e konsolidoi pushtetin e tij me gjakun e shqiptarëve. Saliu mashtroi, manipuloi, bashkëpunoi me qarqe antikombëtare dhe vrau e preu të gjithë ata që i dolën përpara në betejën e tij për një sulltan absolut. Saliu bleu vota për të sunduar, sepse ne jemi të bindur se ai nuk ka fituar asnjëherë në zgjedhje. Ai vrau dhe akuzoi njerëz të pafajshëm vetëm e vetëm se ata nuk mohuan lidhjet e tyre me kundërshtarët e tij. Ai vodhi e plaçkiti paratë tona, bërtiti e u çor deri në babëzi, duke bërë edhe takime të fshehta në kurriz të çështjes kombëtare. Ai solli vëllavrasjen, të cilën e kishim harruar, boshatisi banesa me krimet e tij dhe solli mesjetën këmbëkryq në vatrat tona, ku u mbyllën fëmijë brenda katër mureve për t’i shpëtuar hakmarrjes në demokracinë e Saliut.
Nuk mund ta imagjinoj dot se si arrin ai njeri të justifikojë te vetvetja e tij gjithë ato viktima këtej dhe andej kufirit, për të cilat, ai dhe vetëm ai, është humbësi i jetëve të tyre, ku shumë prej tyre janë edhe fëmijë. Nuk e di se çfarë mund të bëjë njeriu në kushte të tilla ku vetëm vdekja të pret, ku të gjitha strukturat shtetërore funksionojnë në sinkroni të plotë dhe të bindura për të realizuar mllefet e një njeriu që nuk ndalet as përpara gjakderdhjes për konsolidimin e pushtetit të tij. Unë e kam thënë me forcë gjatë gjithë kohës që, pavarësisht se cilit krah i përkasin njerëzit, ligjet duhet të veprojnë njëlloj. Në qoftë se njeriu vret në kushtet e vetëmbrojtjes ose edhe në rrethana të tjera të caktuara, ai duhet të ndalohet, të hetohet dhe sipas ligjeve të caktuara të kryejë dënimin, kurse familjarët, miqtë, shokët dhe të afërmit duhet të vazhdojnë jetën e tyre, ku shteti duhet të sigurojë kushte e mundësi.
Për të gjitha vrasjet që rrëfeni në këtë intervistë. Cili ka qenë roli prokurorisë së Tropojës në vënien përpara përgjegjësisë të autorëve?
Të vetmin interesim që kishte Prokuroria e Tropojës në kohën e Saliut për çështjet tona dhe denoncimet që ne kishim dorëzuar në prokurori, ishte se kush i kishte shkruar denoncimet dhe e kujt ishte kaligrafia e shkrimit, dhe kjo përsëri quhej prokurori dhe përfaqësonte një institucion aq të rëndësishëm. Dhe ky interesim i prokurorisë së telekomanduar të Saliut kishte për qëllim jo vetëm të mos zbardhte vrasjet tona, por edhe të kryente hetime kundër nesh nga vetë denoncimet tona.
Për gjithçka të thënë më sipër, unë kam shumë e shumë detaje të tjera, dokumente, dëshmi e prova, të cilat vërtetojnë më së miri thëniet e mia, por do t’i vë ato në dispozicion të drejtësisë atëherë kur drejtësia të mos jetë e ndikuar dhe kur ajo të zbatojë ligjet dhe jo urdhrat duke dënuar njerëz në bazë të akuzave që kanë bërë liderët, të cilët akuzohen për krime kundër njerëzimit duke përdorur forcën e shtetit dhe për njëmijë e një lidhje kriminale anë e kënd botës.
Si jetoni ju në Suedi, çfarë bëni atje?
Ne u dëbuam me forcë nga atdheu ynë nga vetë shteti Berishian, ku pas pesë vitesh në shtetin suedez, ku për një vit e gjysmë kam qëndruar si azilante pa të drejtë shkolle, kam arritur të punoj në profesionin tim si mësuese e legjitimuar suedeze. Punojë me të njëjtat grupe moshash që kam punuar në vendin tim, duke dhënë edhe gjuhën vendase. Mendoj se jam një ambasadore e mirë e familjes sime dhe e vendit tim aq të shtrenjtë këtu, në shtetin e largët suedez.
Ndihem e vlerësuar dhe e mbështetur qoftë nga fëmijët dhe nipërit e mbesat e mi të mrekullueshëm, por edhe nga shteti suedez dhe veçanërisht nga lagjja ku jetoj dhe nga kolegët e mi të punës. Nuk më mungon asgjë materialisht, por shpirti dhe mendja ime kullosin në ato fusha e male të gjelbëruara ku do të ishte “balta më e ëmbël se mjalta”. Jam e interesuar ndaj ndjek zhvillimet në vendin tim dhe mbi tavolinën time të punës ndodhet flamuri shqiptar. Kolegët e mi të punës ndjekin më me interes zhvillimet në Shqipëri, tani që një shqiptare është kolegia e tyre.