Kryenegociatori i Kosovës për dialog, Besnik Bislimi, do të takohet sot me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, në Bruksel, ku do të diskutohen ide konkrete se si mund të duket një zgjidhje afatshkurtër lidhur me çështjen e dinarit.
Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, do të zhvillojnë raundin e dytë të takimeve në Bruksel të ndërmjetësuar nga emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, lidhur me çështjen e dinarit.
Mbajtjen e këtij takimi e bëri të ditur vetë Lajçak më 19 mars, pas takimit që ishte zhvilluar mes kryenegociatorëve në kryeqendrën evropiane.
Ai tha se diskutimet ishin përqendruar rreth çështjeve urgjente në agjendën e dialogut, duke përfshirë zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës dhe zgjedhjet lokale në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sipas tij, si në Prishtinë, po ashtu në Beograd ka nënvizuar rëndësinë e zbatimit të Marrëveshjes pa vonesë dhe ka trajtuar çështjet urgjente që prekin dialogun.
Ky ishte takimi i dytë që u organizua nga BE-ja për çështjen e dinarit.
Një raund i negociatave ndërmjet ekspertëve financiarë të Kosovës dhe Serbisë, u zhvillua më 27 shkurt në kryeqendrën evropiane, por përfundoi pa rezultate konkrete.
Kosova refuzoi që të përfaqësohet në nivel politik, sepse konsideroi që dinari nuk duhet të jetë temë në procesin e dialogut.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, garantoi këtë javë se nuk do të pranojë propozime që dalin jashtë kornizës rregulluese të BQK-së.
“Shikoni, është një proces që po vazhdon dhe propozime ka, disa. Por, nuk ka propozime që pranohen nga ana jonë që shkojnë në kundërshtim me rregulloren e re të BQK-së”, tha Kurti.
E ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, shtoi se është e rëndësishme që të ndryshohet mënyra e zbatimit të kësaj rregulloreje.
“Siç tha kolegu im javën e kaluar, Gabriel Escobar ne jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”.
Përdorimi i dinarit për pagesa me para të gatshme në Kosovë u ndalua më 1 shkurt, kur Banka Qendrore e Kosovës e futi në fuqi një rregullore të re e cila përcaktoi euron si valutën e vetme zyrtare në vend.
Kjo çështje, pos që zemëroi Serbinë, nxiti mospajtime edhe mes Qeverisë së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare, pasi komuniteti serb në Kosovë, prej vitesh, merr pagesa në dinarë nga buxheti i Serbisë.
Diplomatë perëndimorë i kërkuan Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.