Përmes një komenti ndaj vendimit të gjykatës për refuzimin e lejes ndaj Fredi Belerit, Rama paralajmëron si zgjidhje për ngërçin e krijuar largimin e Jorgo Goros nga drejtimi i bashkisë dhe vënien e kësaj të fundit nën qeverisjen qendrore.
Duke u nisur nga arsyetimi i Gjykatës së Posaçme për të refuzuar kërkesën për leje për tu betuar nga Alfred Beleri, kandidati i zgjedhur si kryebashkiak në zgjedhjet e fundit, kryeministri Edi Rama paralajmëroi të enjten përmes një statusi në platformën X se do t’i jepej zgjidhje ngërçit të krijuar në Bashkinë e Himarës.
“Referimi nga ana e GJKKO e ngërçit që krijohet në vazhdimësinë e përkohshme të detyrës nga ana e kandidatit humbës, përderisa faktikisht kryebashkiaku i zgjedhur mbetet në paraburgim, ndërkohë që kryebashkiaku ende në zyrë nuk e ka legjitimitetin për të drejtuar bashkinë në mungesë të fituesit, e bën qartësisht të lexueshme dhe lehtësisht të kuptueshme nevojën e daljes nga ky ngërç,” shkroi Rama.
Kryeministri publikoi bashkëlidhur edhe vendimin e Gjykatës së Posaçme, i cili del se është postuar nga Drejtoria e Përgjithshme të Burgjeve. Në vendim, gjykata arsyeton edhe mbi pretendimin e Belerit se bashkia e Himarës po drejtohet nga kandidati humbës, duke sugjeruar si zgjidhje kalimin e detyrimit për të ofruar shërbime ndaj qytetarëve te qeveria qendrore.
“I takon qeverisjes qendrore, që bazuar në parimin e përgjegjësisë për të siguruar qeverisje efektive, ligjore dhe të drejtën e qytetarëve për shërbime publike të qëndrueshme, të marra masa konform kuadrit ligjor dhe modeleve më të mira europiane për gjetjen e zgjidhjes,” thuhet në vendim.
Sipas Ramës, dalja nga ngërçi bëhet përmes “ndërprerjes së vazhdimësisë së qëndrimit në detyrë të kandidatit humbës, bazuar në praktikat më të mira europiane për sigurimin e shërbimeve publike në bashkinë e Himarës”.
Rama sërish ka mohuar akuzat nga Athina zyrtare dhe opozita në Shqipëri se çështja ndaj Belerit është politike. Sipas tij, vendimi i gjykatës tregon se politika nuk është e përfshirë.
Fredi Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve lokale të 14 majit 2023, duke u bërë i vetmi kandidat në Shqipëri që zgjidhej në një post publik ndërsa ishte në qeli. Prokuroria e akuzon Belerin për “korrupsion aktiv në zgjedhje”, duke pretenduar se ka provuar tej çdo dyshimi se ai i kishte ofruar një bashkëpunëtori të policisë 50 euro për çdo votë që mund të gjente në favor të tij si kryetar i Bashkisë së Himarës. Për të njëjtën vepër penale akuzohet edhe bashkëpunëtori i tij, Pandeli Kokaveshi.
Zgjedhja e Belerit që ndodhet i paraburgosur vendosi në ngërç Bashkinë e Himarës, pasi duke qenë në qeli, ai nuk mundi të kryente betimin për të marrë mandatin. Beleri përmes avokatëve ka kërkuar disa herë leje për të kryer betimin, kërkesa të cilat janë rrëzuar nga Gjykata dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Në vendimin e arsyetuar, Gjykata e Posaçme thotë se kërkesa e Belerit për leje të posaçme nuk parashikohet në ligj.
“Gjykata, vlerëson se situata e krijuar në kontekstin e zbatimit të parashikimeve ligjore lidhur me kufizimin e lirisë personale të personave të ndodhur në kushtet e paraburgimit lexuar së bashku me të drejtat e të paraburgosurve për leje të veçantë, çon në pamundësinë e kërkuesit për t’u betuar e marrë detyrën publike”, thuhet në vendimin e gjyqtarëve Irena Gjoka, Flora Hajredinaj dhe Erjon Çela.
Gjykata arsyeton se pavarësisht problemeve që i krijohen bashkisë nga mos vijimi i betimit, ajo nuk mund të tejkalojë dispozitat ligjore, duke sugjeruar që zgjidhja e ngërçit i takonte institucioneve të tjera.