Në këtë intervistë ekskluzive për gazetën Panorama, ish-ministri i Brendshëm, Sander Lleshaj, bën një analizë të fortë mbi ndryshimet e fundit në qeverinë “Rama”, çështjen “Balluku”, përplasjet politike dhe rolin e drejtësisë.
Lleshaj thekson se promovimi i të rinjve në poste të larta nuk duhet të bëhet në kurriz të përvojës dhe integritetit, ndërsa imuniteti parlamentar nuk duhet të shndërrohet në mburojë për skandalet politike.
Sipas Lleshajt, ndryshimet e fundit në qeveri nuk sjellin cilësi të re, por janë thjeshtë reagime ndaj presioneve të brendshme dhe të jashtme.
Sander Lleshaj, nënvizon se problemi kryesor i Shqipërisë nuk është drejtësia e dobët, por sistemi politik i pazhvilluar, i dominuar nga parti që nuk funksionojnë sipas parimeve demokratike.
Ai apelon se e vetmja rrugë për përmirësime është reforma e thellë e sistemit politik dhe demokracia brenda partive.
Z. Lleshaj, si i lexoni nga këndvështrimi juaj politik ndryshimet e fundit në qeveri? A janë ato sinjal reformimi apo menaxhim i krizave të brendshme?
Sinjalet e reformimit normalisht jepen në fillim të mandatit, kur, pas shpalljes së një programi të plotë të reformave, përzgjidhet edhe ekipi që do të udhëheqë realizimin e tyre.
Në rastin e ndryshimeve masive aktuale, pak muaj pas ndërtimit të qeverisë re pas zgjedhjeve, nuk bëhet fjalë për reformë, por vetëm për një reagim ndaj një gjendje të re të krijuar në vend, e me sa duket, edhe në rrafshin ndërkombëtar, përderisa ndryshime pati dhe në dikasterin e punëve të jashtme dhe atë të mbrojtjes, të cilët kanë një rol të veçantë në këtë aspekt.
Nisur nga ndryshimet e fundit duket sikur të rinjtë kanë marrë në dorë fatet e vendit por çfarë vlere kanë për qytetarët…?
Për qytetarët është me rëndësi të kuptohet vlera e shtuar e ndryshimeve të reja. Sa shtohet me këtë rast dituria, pjekuria, përvoja, integriteti apo edhe energjia krijuese e zbatuese e qeverisë së re? Teksa sa sheh profilin e personave që janë ngritur në rangun e ministrit, me pak përjashtime, vështirë se mund të shquhen vlera të spikatura. Duket se në Shqipëri ka zënë vend një përfyrim disi tepër entuziast për rolin e të rinjve në qeverisjen e vendit, aq sa promovimi i tyre në poste të larta qeveritare duket se i ngjan një formule magjike. Ndonëse në nivelin e marketimit politik, që disa e quajnë edhe propagandë, narrativa e të rinjve që “marrin në dorë fatet e vendit” tingëllon shumë e bukur, në të vërtetë kjo gjë nuk mund të kapërdihet pa u përtypur. Filozofi i famshëm Immannuel Kant thotë diku se ne nuk mund ta lëmë menaxhimin e një kopështi fëmijësh në dorën e tyre, pikërisht nga që ne i duam shumë ata. Ndonëse kjo referencë mund të çalojë pak, aspak nuk mund të diskutohet nevoja për maturi, për përvojë, për dituri dhe për integritet të sprovuar të atyre që marrin përsipër udhëheqjen e vendit.
Besoj që biem dakord që të rinj ka edhe në Amerikë, në Europë, në Kinë apo kudo tjetër, e megjithatë, qeveritë e këtyre vendeve bazohen në profile tjera. Promovim i të rinjve nuk do të thotë katapultimi i tyre në poste të larta, prej nga do të bien me siguri shpejt, për t’u djegur kështu politikisht dhe profesionalisht. Funksionet e larta politike dhe shtetërore janë për ata që i kanë kaluar me sukses provimet jetës në aspektin profesional dhe, mbi të gjitha, kanë përballuar qartë sprovat e karakterit përgjatë karrierës së tyre. Eksperimentet e përsëritura me rishtarë të mirëfilltë, që bëhen drejtorë, ambasadorë apo deri dhe ministra, janë të dëmshme, në radhë të parë, për vendin, por edhe për vetë ata që, pikërisht për shkak të rinisë, nuk arrijnë të shohin kurthin që i përgjon pas kata pultimit. Më duket se u zgjata shumë për të thënë vetëm kaq: ndryshimet duket nuk se sjellin ndonjë cilësi të re.
Mazhoranca rrëzoi kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të znj.Balluku. Pse kjo mbrojtje politike ndaj saj ndonëse e akuzuar për afera korruptive?
Unë parimisht nuk komentoj publikisht emrin e askujt. Aq më tepër në këtë rast, kur nuk ka mbetur askush pa u shprehur dhe asgjë pa u thënë, komentet e mia do të ishin të tepërta. Sa i përket qëndrimit të politikës në këtë rast, duket se jemi përballë ngatërresës së dy aspekteve.
Së pari: duket se politika ka filluar të kthjellohet disi, pas euforisë me të cilën miratoi reformën në drejtësi në unanimitet të rrallë para gati një dekade. Nëse është vertet kështu, është mirë, pasi duhet kuptuar, më në fund, se reforma në drejtësi nuk mund të reduktohet vetëm tek një strukturë e veçantë si SPAK-u. Në të njëjtën kohë, është urgjente nevoja për të hequr dorë nga bestytnia naive se kjo strukturë mund të zgjidhë në mënyrë magjike hallet e vendit. Jo. Ajo mund të zgjidhë disa probleme të karakterit penal, ndërkohë që problemet themelore të vendit, që janë shumë herë më të mëdha dhe të ndërlikuara, janë të karakterit politik dhe mund të zgjidhen vetëm përmes reformave politike.
Së dyti: pikërisht për arsye se nevoja për të gjetur zgjidhje për problemet evidente që shfaqen në praktikën e përditshme të reformës në drejtësi është e dukshme, nismat për qasje të re nuk mund të marrin shkas nga raste të caktuara juridike, që lidhen me zyrtarë të nivelit të lartë. Qeveria dhe shumica parlamentare kanë raste të pafundme të problemeve me dhënien e drejtësisë në vend ndaj qytetarëve të thjeshtë, prej të cilave mund të nisen me plot legjitimitet për të kryer përmirësime në sistem. Ndërsa tentativa për një qasje sistemore dhe parimore, e nxitur nga një rast i vetëm konkret në nivelin e lartë të qeverisjes, vetëm sa e kompromenton qëllimin e vërtetë për përmirësime në sistem.
Kryeministri Rama e konsideroi të mbyllur çështjen “Balluku” por çfarë mesazhi u dërgon qytetarëve për drejtësinë dhe llogaridhënien e politikës”?
Kuvendi është një strukturë e cila do të duhet të bashkojë parimet dhe vlerat më të larta politike, juridike dhe morale të vendit. Në vendimet e tij, qytetarët do të duhet të dallojnë jetëzimin e këtyre vlerave. Vendime pa vulën e vullnetit politik dhe pa peshën e moralit shoqëror nuk i shërbejnë askujt. Imuniteti parlamentar në kohën e sotme, dhe sidomos në Shqipërinë e sotme, është në të vërtetë një relike e padobishme. Si rregull, në vendet demokratike, ai jepet për të mbrojtur funksionimin e pa shqetësuar të parlamentit nga prishja e raporteve të shumicave parlamentare, për të parandaluar rastet e caktuara të përndjekjes politike apo për të garantuar pavarësinë e vendimmarrjes së deputetëve të veçantë në raste të caktuara përballë ndërhyrjes nga ana e pushtetit ekzekutiv apo gjyqësor. Por vetëm kaq. Çdo gjë tjetër do të ishte privilegji i pa drejtë. Është e vështirë që, në rastin konkret, të shihet ndonjë kërcënim i funksionimit të parlamentit si i tillë, apo i grupeve të caktuara parlamentare, i përndjekjes politike apo i ndikimit ndaj vendimmarrjes individuale të ndonjë deputeti. Me pak fjalë, zgjidhja më e mirë do të duhej të ishte gjetur në parimet e politikës dhe të moralit, pasi Kushtetuta dhe ligji në këtë rast duket se nuk e mbështesin qëndrimin refraktar ndaj organeve të zbatimit të ligjit.
Nëse raste të tilla vazhdojnë të përfundojnë me refuzime në Kuvend, a krijohet ideja se drejtësia ka kufij kur bëhet fjalë për pushtetin?
Drejtësia në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjithë botën, nuk është hyjnore. E përderisa është e tillë, ajo ka nevojë për kufij. Dhe këta kufij i vendos sovrani, përmes Kuvendit, në kushte shumë të qarta e në favor të interesit të përgjithshëm. Në këtë kuptim, politika e ka detyrë që të krijojë dhe të përmirësojë kuadrin ligjor, pra kufijtë, për sistemin e drejtësisë. Por që të jetë e ligjshme, ndërhyrja e politikës duhet të kryhet si reagim ndaj një fenomeni problematik shqetësues dhe kurrësesi si reagim ndaj një rasti konkret të veçantë, pasi ky do të ishte thjesht pengim i drejtësisë.
A duhet që zyrtarët e lartë të japin dorëheqje sapo përfshihen në hetime serioze…?
Drejtuesit e lartë duhet të mishërojnë një kombinim të profesionalizmit, moralit dhe integritetit. Unë e konsideroj aventurë me rrisk të lartë për vendin emërimin e personave që nuk i kanë dëshmuar qartë këto vlera gjatë karrierës së tyre. Dorëheqja është një akt i lartë përgjegjshmërie, pjekurie dhe integriteti. Ajo është atribut i atyre që me postin i lidh përgjëgjësia, morali e integriteti dhe jo interesi meskin. Për fat të keq, ajo në Shqipëri ende mbetet e munguar, aq sa të munguara mbeten vlerat e përmendura në fjalinë e parë të këtij paragrafi. Eksperimentimet me promovimin e personave të pa sprovuar në poste të larta politike në Shqipëri, vijojnë të jenë fatale. Dikur, vetëm një javë pasi kisha marrë detyrën e Ministrit të Brendshëm, nga një gazetar inteligjent, u pyeta nëse kisha menduar ndonjëherë për dorëheqjen. Përgjigja ime asokohe ishte se për dorëheqjen mendoj çdo ditë, për arsyen e thjeshtë se me karrigen ku ulem nuk kam ndonjë lidhje organike, pra nuk jam i ngjitur pas saj. Atë natë ishte data 10 dhjetor 2018. Si për çudi, saktësisht më 10 dhjetor 2020, unë e dhashë vërtet dorëheqjen, pasi një polic qëlloi me armë në mes të natës dhe në shkelje të ligjit një të ri në Tiranë.
Pavarësisht skandaleve të qeverisë, akuzave për lidhje me krimin dhe korrupsionin, çfarë e mban ende në pushtet të majtën? Pse kaq e vështirë të rrëzosh një qeveri të tillë…?
Unë mendoj se çështja e rrëzimit të qeverisë as nuk duhet të shtrohet. Në një vend normal, qeveritë nuk rrëzohen, por ndërrohen. Për fat të keq, Shqipëria vijon ende jermin komunist të frymëzuar nga mentaliteti revolucionar i rrëzimit apo përmbysjes. Në të vërtetë, ne nuk kemi nevojë për këtë dhe as nuk duhet të merremi me këtë gjë, e cila kurrë nuk na çon përpara. Por, Shqipëria ka nevojë urgjente që të mësojë se si ndërrohet qeveria dhe që krijojë kushtet që kjo gjë të ndodhë, përmes zgjedhjeve të lira dhe mundësisht sa herë këto të ndodhin edhe për një periudhë të caktuar kohë, ndërkohë që demokracia maturohet. Krijimi i këtyre kushteve lidhet me shumë gjëra, por, para së gjithash, me atë që përmenda pak më lart. Vendi ka nevojë jetike që të reformojë sistemin politik, përmes reformimit rrënjësor të partive politike. Pa një ndryshim të ligjit për partitë politike, pa vendosjen e demokracisë së vërtetë brenda partive politike që qeverisin vendin, asgjë nuk mund të përmirësohet realisht. Qeveritë duhet të ndërrohen dhe jo të rrëzohen. Që kjo të ndodhë, partitë duhet të humbasin ekskluzivitetin e përcaktimit të kandidatëve në zgjedhje jashtë proceseve të mirëfillta demokratike. Retorikat revolucionare të rrëzimeve imagjinare vetëm sa topisin ndërgjegjen publike dhe çimentojnë sistemin aktual jo demokratik.
Nëse korrupsioni më i madh është ai politik, kush duhet ta mbajë përgjegjësinë reale për të?
Unë mendoj se roli i drejtësisë në luftën kundër korrupsionit është i rëndësishëm, por jo primar dhe as vendimtar. Drejtësia mund të godasë raste të shkëputura për të cilat arrin të mbledhë prova të mjaftueshme. Drejtësia mund të godasë në ato raste kur janë shkelur apo shmangur procedurat e parashikuara me ligj. Por si bëhet në ato raste kur procedurat respektohen me përpikmëri, e megjithatë i gjithë investimi është i mbrapshtë? Dëmi më i madh i shkaktohet vendit kur paratë e tij shkojnë në prioritete të gabuara. Lënia pa ndërtuar e një aksi rrugor, e një porti a spitali, apo ndërtimi në vend të tyre i disa të tjerëve, për të cilët nevoja nuk është e dorës së parë, është korrupsioni më i madh. Edhe pse në këto raste, praktikat ligjore të ndjekura mund të jenë pa asnjë të metë, pra edhe jashtë kompetencës së organeve të drejtësisë, dëmi real i shkaktuar vendit është shumë herë më i madh nga ai i rasteve kur shkeljet janë në procedura.
Korrupsioni i vërtetë është ai i nivelit politik dhe jo procedurial. Por vendimet politike mund t’i gjykojë e vetmja “gjykatë politike” e vendit që përbëhet nga zgjedhësit në ditën e gjykimit të tyre, në ditën e zgjedhjeve. Për fat të keq të vendit, dita e zgjedhjeve në Shqipëri është ende një ditë feste dhe vallesh folklorike, krejt larg së qeni një ditë “gjyqi politik”. Dhe kjo ndodh për një fakt të thjeshtë: populli thirret jo për të gjykuar, por për të zgjedhur mes vullnetit të njërit apo tjetrit kryetar partie, vullnete të cilat përgjithësisht nuk kanë ndonjë ndryshim substancial, të paktën sa i përket profilit të atyre që emërohen/zgjidhen. Unë kam bindjen e plotë se ky është problemi themelor i Shqipërisë Sistemi i saj demokratik është i dominuar eksluzivisht nga parti politike të cilat në vetvete nuk janë as demokratike dhe as të rregulluara nga një ligj i mirëfilltë. Dhe për sa kohë që kjo gjendje do të vijojë, problemet e vendit do të thellohen.
Si ish-ministër i brendshëm, a mendoni se institucionet kanë sot mjaftueshëm pavarësi për të hetuar korrupsionin politik pa presione?
E përsëris sërish se Korrupsionin politik mund ta luftojë vetëm populli përmes votës së lirë. Sistemi i drejtësisë nuk mundet që të na e ndërtojë, për shembull, aksin kombëtar më të rëndësishëm, që duhej të lidhte Tiranën me Europën, nëpërmjet Shkodrës, edhe pse në Strategjinë e Sigurisë Kombëtare, të miratuar me ligj që në vitin 2014, ky është shpallur si një prioritet i dorës së parë. Sistemi i drejtësisë nuk mund ta përmbysë paradoksin e rrallë që Rruga e Kombit fillon me katër korsi në Kukës dhe vjen duke u ngushtuar sa më shumë i afrohet Tiranës, duke ndjekur parimin e mbrapshtë që zbatohet gjërësisht: sa më i dendur trafiku, aq më e ngushtë rruga dhe anasjelltas.
Sistemi i drejtësisë nuk mund t’i heqë apo t’i vendosë sipas të njëjtit standard trarët e postblloqeve të pagesës në rrugët e vendit dhe as nuk mund t’u shpjegojë kuksianëve se përse ata duhet të paguajnë kur udhëtojnë me makinë për në shtëpitë e tyre, por nuk duhet ta bëjnë këtë gjë kur shkojnë për mik në Vlorë. Shembuj të tillë ka shumë, por gazeta juaj e ka të kufizuar hapësirën. Jo reforma në drejtësi, por reforma e sistemit politik është ajo për të cilën më së shumti ka nevojë vendi. Por, aq sa parakosalisht unanim ishte konsensusi për reformën në drejtësi para një dekade, por aq unanime është heshtja dhe konsensusi për të mos reformuar sistemin politik në vend. Dhe për sa kohë që gjendja do të vijojë kështu, korrupsioni politik do të vijojë të gërryejë vendin, ndërkohë që ndërgjegja publike do të vijojë të konsumojë si narkotikë raste të shkëputura zyrtarësh të lartë që dënohen kryesisht për kotësira.
