Celibashi takon Gloverin, po a i shpjegoi pse dështoi totalisht me identifikimin elektronik?

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi është takuar sot me drejtuesen e ODIHR, Audrey Glover pas përfundimit të procesit zgjedhor, i cili hasi mjaft probleme me indentifikimin elektronik pavarësisht se u shpenzuan dhjetëra miliona euro për infrastrukturën.

Përmes një postimi, Celibashi shkruan se me Glover kanë biseduar mbi ecurinë e procesit zgjedhore, ku thekson se KQZ është e gatshme për të plotësuar çdo rekomandim për administrimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR që do të shprehet në raportin përfundimtar.

Postimi:

Pritëm sot në KQZ Shqipëri drejtuesen e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSCE Office for Democratic Institutions and Human Rights (ODIHR), Ambasadoren Dame Audrey Glover, zv.shefin e Misionit, z. Stefan Krause dhe ekspertë të tjerë, me të cilët zhvilluam një bisedë të zgjeruar mbi ecurinë e procesit zgjedhor.

E falënderova Ambasadoren Glover dhe Misionin e OSBE/ODIHR për vëzhgimin e kryer, si edhe vlerësova gjetjet e këtij misioni të shprehura në Konkluzionet e Raportit Paraprak të Vëzhgimit të Zgjedhjeve #Vendore14Maj2023.

Deklarova se KQZ është e gatshme për të plotësuar çdo rekomandim për administrimin e zgjedhjeve të OSBE/ODIHR që do të shprehet në raportin përfundimtar.