“Çdo nismë duhet të përfshijë të gjashtë shtetet,” Escobar: Mbështesim Ballkanin e Hapur si iniciativë ekonomike

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën “Ballkani i Hapur”, duke nënvizuar se çdo nismë duhet të përfshijë të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë.

Duke ju me një video mesazh takimit të kësaj nisme që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, zoti Escobra tha se Shtetet e Bashkuara e shohin rajonin nga prizmi i shekullit të 21-të e jo nga problemet e shekullit të 20-të.

“Ky nuk është projekt politik, por është një projekt shumë i rëndësishëm ekonomik. Dhe me rëndësi është që të mbetet projekt ekonomik në mënyrë që të përqendrohet në krijimin e mundësive për njerëzit e rajonit dhe të keni përkrahje më të madhe”, tha mes tjerash zoti Escobar.

Takimit të udhëheqësve të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut që janë edhe themeluesit e nismës, u janë bashkuar në cilësinë e vëzhguesve, kryeministri i Malit të Zi dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Bosnjë e Hercegovinës. Kosova ka refuzuar ftesën për t’iu bashkuara nismës.

Kryeministri shqiptarë Edi Rama tha se lufta në Ukrainë e bën “Ballkanin e Hapur” një domosdoshmëri edhe më të madhe.

“‘Ballkani i Hapur’ nuk është i Serbisë siç dëgjojmë këtyre ditëve, por i të gjithë njerëzve që jetojnë këtu, është i fermerëve shqiptarë, sa më shumë të afrohemi aq më shumë zgjidhim problemet dhe armiqësitë, aq më shumë kemi mundësi të zgjidhim edhe problemin mes Kosovës dhe Serbisë”, tha kryeministri Rama, duke komentuar debatet që nxiti edhe një deklaratë e ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov i cili e cilësoi Ballkanin e Hapur, nismë të Beogradit.

Kosova refuzon t’i bashkohet nismës në radhë të parë për shkak të qasjes së Serbisë e cila nuk e njeh pavarësinë e saj, por edhe që të mos bëhet pjesë e nismave që synojnë zëvendësimin e proceseve integruese evropiane.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha ndërkaq se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Gjatë ditës do të nënshkruhen katër marrëveshje të bashkëpunimit për luftën kundër evazionit fiskal, njohjen e diplomave të arsimit të lartë, bashkëpunimin kulturor dhe bashkëpunimin në fushën e turizmit.

Nisma, sipas organizatorëve të saj, synon vendosjen e lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve në rajon./VOA/


Shtuar 8.06.2022 18:29