Çarja e tubit të gazit në karburantin në Tiranë, 3 të arrestuar, policia: Shkelën rregullat mbi lëndët plasëse

Një tub gazi u ça ditën e djeshme në Tiranë në rrugën “Sadik Petrela” duke shkaktuar panik në zonë.

Policia njofton se ka arrestuar tre persona, të cilët shkelën rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse.

“Shkelën rregullat mbi lëndët plasëse dhe djegëse, dhe si pasojë u dëmtua një tub i cili shkaktoi rrjedhje gazi, në një karburant, vihen në pranga administratori, menaxheri dhe një punonjës”, thuhet në njoftim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 4 arrestuan shtetasit A. Ç., 58 vjeç, (administrator në një subjekt), Xh. R., 38 vjeç, (menaxher i subjektit), dhe M. H., 54 vjeç, (shofer), të tre banues në Tiranë.

Shtetasi Xh. R., menaxhon një subjekt në rrugën “Sadik Petrela”, të palicensuar për tregtimin e hidrokarureve. Ditën e djeshme, shtetasi M. H., duke parkuar automjetin autocisternë në këtë subjekt, ka dëmtuar një tub dhe si pasojë është shkaktuar rrjedhje gazi. Shtetasi A. Ç., administrator i këtij subjekti, ka përdorur pajisje të cilat nuk plotësojnë kushtet thelbësore të sigurisë.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.


Shtuar 1.10.2023 10:57