Ministri i Punëve të Jashtme të Britanisë David Cameron ndodhet këtë të enjte në një vizitë zyrtare në Kosovë.
Cameron ka mbërritur në Prishtinë mbrëmjen e djeshme, ndërsa ka takuar kryeministrin Albin Kurti. Ndërkohë sot ka zhvilluar takim me ministren e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla.
Në konferencën e përbashkët me ministren Gërvalla, Cameron u shpreh se ndodhet në Prishtinë për të shprehur mbështetjen, ndihmën dhe promovimin nga Britania e Madhe për shtetin e Kosovës.
“Ne folëm këtë mëngjes për sigurinë dhe rëndësinë e kontributin që mund të japim në këtë drejtim, duke pasur parasysh edhe rolin e madh që kemi në kuadër të KFOR-it”, tha ai.
Cameron bëri të ditur se kanë folur edhe për trajnimin e disa pjesëtarëve të FSK-së në Britani, çështjet ekonomike, luftimin e korrupsionit, etj.
Sipas tij, stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është shumë i rëndësishëm dhe Britania e Madhe ka investuar shumë në këtë drejtim.
Ndërkohë ministrja e Jashtme Donika Gërvalla u shpreh se në takim ka falenderuar homologun e saj britanik për mbështetjen e dhënë për Kosovën, para dhe pas luftës.
“Vura në pah edhe rolin qendror që ka pasur Mbretëria e Bashkuar në ndaljen e gjenocidit të Serbisë ndaj qytetarëve të Kosovës në vitin 1998 dhe 1999. Kosova për këtë do të jetë mirënjohëse përjetë”, ka deklaruar Gërvalla./albeu.com