Bullgaria ia kalon Shqipërisë, hap e para Akademinë e Barinjve: A do t’i dalë koha deri në shtator ministres për “studentët” e parë?

Frida Krifca pritet të jetë një ndër kokat e para që do të “pritet” në shtator, kur Rama të ribëjë kabinetin qeveritar pas skandalit me fondet e IPARD dhë bëmat e tjera të saj. Krifca do të mbahet mend për projektin e saj ambicioz të hapjes së Akademisë së Barinjve, e cila po e përndjek gjatë detyrës së saj, ndërsa duket se pas asaj deklarate të bujshme në Kuvend nuk u bë asgjë.

Ndërkohë që Shqipëria nuk bëri asgjë, duket se Bullgaria e ka konkretizuar këtë plan. Mediat bullgare raportojnë se tashmë aty ka nisur punën Akademia e Barinjve.

Ajo do të bashkojë njerëz të gatshëm për të zotëruar profesionin dhe për të rivendosur praktikat e harruara tradicionale, si dhe për të mësuar se si të rrisin kafshët sipas zakoneve të vjetra bullgare.

Secili nga katër sezonet e trajnimit në akademi do të ofrojë një hyrje në historinë e racave autoktone në Bullgari, kullotjen dhe mjeljen e kafshëve, pastrimin e kullotave dhe praktikat tradicionale në blegtori.

Mbi 20 barinj po marrin pjesë në sezonin e parë të trajnimit dhe janë përfshirë në mënyrë aktive në rritjen e një tufe të përzier me dy raca autoktone – delja Karakaçane dhe dhia me flokë të gjatë malore.

Nismëtarët e Akademisë synojnë gjithashtu të krijojnë një praktikë në ruajtjen e racave autoktone, duke i cilësuar ato si një thesar të gjallë kombëtar,  shkruan agjencia e lajmeve bullgare BTA”.


Shtuar 8.08.2023 10:43