Bullgaria formoi grupet e punës! Kur do të mbahet seanca ndër-qeveritare mes RMV-së dhe Bullgarisë

Qeveria bullgare dhe ajo e Maqedonisë së Veriut i kanë formuar grupet e punës për mbajtjen e seancës së përbashkët ndër-qeveritare mes dy vendeve.

Këtë vendim, Qeveria bullgare e solli sot, pasi dje qeveria e RMV-së i përcaktoi grupet e punës të cilat do të udhëhiqen nga zv/kryeministra dhe ministra të dikastereve përkatëse. Kjo ndodh vetëm disa ditë para seancës së përbashkët qeveritare të RMV-së dhe Bullgarisë, e cila do të mbahet më 25 janar në Sofje.

Kryeministri i Maqedonisë, Dimitar Kovaçevski tha se pret që këto grupe pune t’i afrojnë të dyja vendet. Gjithsej do të jenë 5 grupe ndërqeveritare edhe atë: për ekonomi, tregti dhe inovacione, për infrastrukturë, transport dhe lidhje, për bashkëpunim evropian, tranzicion të gjelbër, transformim digjital dhe sundim të së drejtës.

Grupi i katërt do të punojë në sferën e kulturës, shkencës, arsimit dhe të rinjve, kurse grupi i pestë do të merret me çështje historike, nuk do të jetë ndërqeveritar, por do të vazhdojë të udhëhiqet nga Komisioni i përzier historik maqedono-bullgar.

Ndërkohë qëllimi final i Maqedonisë së Veriut është marrja e “PO”-së nga Bullgaria për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian./albeu.com/