Brukseli duhet ta detyrojë Serbinë të zgjedhë midis Rusisë dhe BE-së

Nga Dimitar Bechev “Carnegie Europe

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

“Nuk mund të ulesh mbi dy karrige në të njëjtën kohë, sidomos nëse ato janë kaq larg njëra-tjetrës. Ishte ky mesazhi i fortë që i dha Beogradit në vitin 2017 Hoyt Brian Yee, në atë kohë zëvendës ndihmës sekretari amerikan për çështjet evropiane dhe euroaziatike. Sipas tij Serbia duhej të bënte një zgjedhje midis Perëndimit dhe Rusisë.

Pesë vjet më vonë, politika e jashtme serbe luan ende një lojë me 2 porta. Deri më tani, edhe lufta brutale e Rusisë në Ukrainë, nuk e ka detyruar presidentin serb Aleksandar Vucic që të ndryshojë kursin. Nga njëra anë, ai shpreh një angazhim të sinqertë për ta anëtarësuar vendin e tij në BE dhe për të promovuar integrimin rajonal përmes nismave të tilla si Ballkani i Hapur, një platformë të cilën Serbia e ndan me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Nga ana tjetër, po i reziston presionit për t’iu bashkuar sanksioneve perëndimore kundër Rusisë dhe për të ndërprerë lidhjet e saj të vjetra me Rusinë. Fluturimet nga Moska dhe Shën Petersburgu zbarkojnë çdo ditë në aeroportin e Beogradit. Qyteti është i mbushur me rusë të shtresës së mesme që përfitojnë nga udhëtimi pa viza drejt Serbisë dhe nga rregullat liberale të qëndrimit atje për t’i afruar më pranë BE-së bizneset e tyre dhe për të shmangur mobilizimin dhe dërgimin në luftë.

Lidhja serbo-ruse duket më e fortë se kurrë më parë. Por në të njëjtën kohë, Serbia po lavdërohet në Bruksel. “Serbia ka bërë një përparim të mirë në rrugën e saj drejt BE-së”- shkroi më 28 tetor të vitit të kaluar në Twitter presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen pas një vizite që zhvilloi në Beograd.

Megjithatë aleanca ruso-serbe e ka alarmuar të gjithë rajonin. Fqinjët e saj druhen se nga rikthimi i luftërave të përgjakshme të viteve 1990. Në sytë e tyre, agresioni rus kundër Ukrainës inkurajon revanshizmin serb dhe e rrezikon statuskuonë territoriale aktuale të mbështetur nga Perëndimi në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Kështu qeveria e Kosovës, e përshkruan Serbinë si një zgjatim të Rusisë së presidentit Vladimir Putin. Kur serbët nacionalistë ngritën barrikada në veri të Kosovës dhe qëlluan ndaj policisë në muajt korrik-gusht 2022, kryeministri kosovar Albin Kurti tha se ishte rritur ndjeshëm rreziku i një konflikti të ri mes Kosovës dhe Serbisë.

Edhe pse tensionet janë reduktuar kohët e fundit falë përpjekjeve të vendosura të BE-së, frika nuk është zhdukur. Nuk mund të përjashtohet skenari i një përshkallëzimi të ri të tensioneve në veri të Kosovës, i ngjashëm me atë të fundit të dhjetorit 2022. Por nga ana tjetër nuk duhet të zmadhohet kërcënimi që paraqet Rusia në Ballkanin Perëndimor.

Duke lënë mënjanë retorikën e dhunshme nacionaliste, Serbia nuk i bindet verbërisht urdhrave të Kremlinit. Përkundrazi ajo mbron synimet e saj, siç ka bërë për një kohë të gjatë. Për më tepër, SHBA-së dhe Perëndimit po i soset durimi me sjelljen e saj, duke e shtuar presionin ndaj Vucic për të bërë një zgjedhje përfundimtare dhe rreshtuar me njërin nga kampet.

Politika me 3 fytyra e Serbisë i ka rrënjët e thella, dhe të kujton qëndrimin neutral të Jugosllavisë gjatë Luftës së Ftohtë. Serbia varet nga BE-ja si ekonomikisht po ashtu edhe politikisht. Unioni është prej vitesh partneri kryesor tregtar dhe investues i Beogradit. Serbët mund të udhëtojnë pa viza në BE, ku jeton prej dekadash një diasporë e madhe.

Vucic shihet më shpesh në shoqërinë e Von der Leyen, kancelarit gjerman Olaf Scholz apo presidentit francez Emmanuel Macron sesa me Putinin. Po ashtu Serbia është gjithashtu një nga kandidatet kryesore në Ballkanin Perëndimor për t’u anëtarësuar në BE. Beogradi i nisi bisedimet e anëtarësimit në vitin 2014.

Deri në tetorin e vitit të kaluar, Serbia kishte hapur 22 nga 35 pesë kapitujt e negociatave, duke përfshirë dosjet vendimtare për reformat në drejtësi dhe punët e brendshme. Por negociatat e pranimit po ecin ngadalë, dhe pas 8 vjetësh janë mbyllur përkohësisht vetëm 2 nga kapitujt.

Sa për krahasim, Kroacisë iu desh e njëjta kohë për të përfunduar anëtarësimin e plotë në BE midis viteve 2005-2013. Kjo mungesë progresi po ngjall zhgënjim në shoqërinë serbe. Një studim i korrikut 2022 nga “New Third Way”, zbuloi se 66 për qind e serbëve ndiheshin më afër Moskës sesa me Perëndimin, dhe se 40 për qind kërkuan ndërprerjen e bisedimeve të anëtarësimit me BE-në.

Së bashku me mungesën e perceptuar të përkushtimit të BE-së ndaj zgjerimit, mosmarrëveshja e Kosovës është një nga arsyet kryesore për këtë qasje të publikut. Ndryshe nga sa thonë autoritetet në Beograd, është e qartë se Serbia nuk do t’i bashkohet bllokut pa e njohur pavarësinë e Kosovës, pasi BE-ja nuk dëshiron të importojë një konflikt të pazgjidhur të ngjashëm me atë në Qipros.

Negociatat e anëtarësimit për Serbinë filluan vetëm pas arritjes së një marrëveshje të ndërmjetësuar në vitin 2013 nga shefja e atëhershme e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton, që e angazhoi Beogradin për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën në këmbim të të drejtave më të mëdha për komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Por ky dialog ka qenë prej kohësh në një ngërç. Dhe këtu hyn në skenë Rusia. Që kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, Moska ka qëndruar në krah të Beogradit në parandalimin e njohjes së gjerë të shtetit të ri nga komuniteti ndërkombëtar. Lufta në Ukrainë ka rinxjerrë në pah çështjet e pazgjidhura politike dhe të çarat e qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor.

Edhe pse rajoni nuk është i rrezikuar nga ndonjë sulm i drejtpërdrejtë nga Rusia, mbetet shumë shqetësuese kapaciteti i Moskës për të shfrytëzuar problemet etnike në rajon për të ndezur flakët e konfliktit. Në këtë situatë, BE-ja ka në dispozicion disa letra që mund t’i luajë.

Së pari, ajo duhet të rrisë ndihmën e saj ekonomike për Ballkanin Perëndimor. Paketa prej 9 miliardë eurosh e rimëkëmbjes ekonomike pas koronavirusit e premtuar për rajonin për periudhën 2021-2027 mund të forcojë ndikimin e Brukselit në një kohë kur rritja ekonomike globale pritet që të ngadalësohet.

Së dyti unioni duhet të dyfishojë përpjekjet e tij për të nxitur integrimin ekonomik në zonë, veçanërisht përmes skemës së Tregut të Përbashkët Rajonal të nxitur nga Procesi i Berlinit i sponsorizuar nga Brukseli. Një marrëveshje për Kosovën, e ndërmjetësuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, si dhe nga Franca dhe Gjermania, do të shtonte një tjetër hap në drejtimin e duhur, pasi do të hiqte pengesën më serioze si për Beogradin po ashtu edhe për Prishtinën në rrugën drejt anëtarësimit në BE. /albeu.com

Marrë me shkurtime


Shtuar 24.01.2023 16:18