Britania e Madhe thotë se Rusia “me siguri ka krijuar një formacion të ri të madh të forcave tokësore” që mund të përfshijë batalione “vullnetare” për të mbështetur pushtimin e saj në Ukrainë.
Shfaqja e një korpusi të stilit vullnetar tregon për sfidat me të cilat përballet presidenti rus, Vladimir Putin, dhe planifikuesit e tij të luftës, derisa ata po përpiqen të nënshtrojnë republikën më të vogël post-sovjetike të Rusisë.
Inteligjenca Britanike e Mbrojtjes më 10 gusht e përshkroi formacionin e ri si “Korpusi i 3-të i Ushtrisë” (3 AC) dhe tha se bazën e ka në Mulino, në rajonin e Nizhny Novgorod në lindje të Moskës.
Britanikët cituan zyrtarë rajonalë rusë të thoshin se rekrutëve të mundshëm do tu “ofrohen bonuse fitimprurëse në para pasi ata të vendosen në Ukrainë”.
Një hulumtim i fundit i rrjetit CNN raportoi se zyrtarët rusë po rekrutonin në mënyrë agresive luftëtarë nga radhët e të burgosurve në “dhjetëra burgje në të gjithë Rusinë”.
Analistët ushtarakë perëndimorë kanë thënë se Putini dhe shërbimet e tij inteligjente e ushtarake prisnin një fitore të shpejtë, që nuk është materializuar.
Të dyja palët, edhe Ukraina – edhe Rusia, kanë dhënë shifra të viktimave nga konflikti, por secila ka pranuar humbje të konsiderueshme./rel