Britania jep alarmin: Sulmi i Rusisë mund të mos ndalet në Ukrainë

Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss, thotë se ka frikë se një sulm i mundshëm i Rusisë nuk do të ndalej në Ukrainë.

“Ky është një sulm ndaj shteteve fqinje të Rusisë dhe shteteve të tjera në Europën Lindore, një përpjekje për të minuar legjitimitetin e tyre për të qenë pjesë e NATO-s”, tha Truss në një intervistë për Sky News.

Ajo shtoi se një pushtim i Ukrainës, do të sillte minimin e sigurisë në të gjithë Europën.

“Mund të shohim gjithashtu agresorë të tjerë nëpër botë, të cilët do ta shikojnë këtë si mundësi për të zgjeruar ambiciet e tyre, kështu që ky është një moment shumë i rrezikshëm për të gjithë globin”, tha Truss.

Ajo paralajmëroi se pushtimi mund të ndodhë ende shumë shpejt, pavarësisht tërheqjes së paralajmëruar të trupave ruse. Sipas Truss, sulmi mund të bëhet drejtpërdrejt në Kiev, ose në Lindje, ose mund të ketë një operacion provokues nga brenda Ukrainës. “Trupat ruse mund të mbërrijnë në Kiev nga zonat kufitare shumë shpejt”, tha Truss./albeu.com/


Shtuar 15.02.2022 21:57