Britania e Madhe: Pushtimi rus ka ngecur në të gjitha frontet

Ofensivat e Rusisë në Ukrainë kanë “ngecur kryesisht në të gjitha frontet”, thotë Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar në vlerësimin e saj këtë mëngjes.

Sipas tyre,  forcat ruse kanë bërë përparim minimal në tokë, det ose ajër në ditët e fundit dhe ato vazhdojnë të pësojnë humbje të rënda.

“Rezistenca ukrainase mbetet e palëkundur dhe e mirë-koordinuar. Shumica dërrmuese e territorit ukrainas, duke përfshirë të gjitha qytetet e mëdha, mbetet në duart e Ukrainës”.

Ushtria e Ukrainës thotë se përpjekjet e Rusisë tani kanë kaluar në sulme ajrore, bombardime dhe granatime të popullatës civile, sepse ata kanë qenë “të pasuksesshëm” në operacionet e tyre tokësore.

Moska ka regjistruar vetëm rreth 500 vdekje të trupave deri më tani, por inteligjenca amerikane vlerëson se është afër 7,000 personel./albeu.com