Briken Calja rrëfen historinë: Rrezikova jetën, mora ilaçe e çajra dhe u shpalla kampion bote!

Ish-kampioni i botës në peshëngritje, Briken Calja, ka rrëfyer histori nga jeta e tij sportive dhe personale.

I ftuari i parë në News 24, sportisti rrugëtoi nëpër kujtime me anë të fotografive dhe theksoi se shtysa e tij e parë drejt sportit të peshëngritjes ka qenë xhaxhai i tij. E teksa tregonte për arritjet e tij të shumta, ai tha se peshëngritja është një fushë e cila të nxit për të arritur rezultate të larta. “E bukura e shtangës është shtysa që të jep, do të arrish sa më shumë”.

Gjatë bisedës Brikeni tregoi se në fillim ka qenë i apasionuar pas futbollit, dhe më pas është përfshirë dhe i është përkushtuar peshëngritjes, për të cilën tanimë stërvitet rreth 6-7 orë në ditë. Ai tha se karriera e tij ndryshoi në vitin 2004 kur ai u shpall kampion kombëtar.

Brikeni e cilësoi vendlindjen e tij Shtërmenin, si fshatin e kampionëve, teksa shtoi se janë të shumtë sportistët që kanë dalë nga ekipi i peshëngritjes atje dhe kanë arritur shumë. Brikeni tregoi se ka qenë pjesë e ekipit të vendlindjes së tij deri në moshën 18-vjeçare dhe më pas është bërë pjesë e ekipit të Tiranës, por tha se asnjëherë nuk është shkëputur plotësisht nga ekipi i Shtërmenit.

Në vitin 2021, Briken Calja falë punës dhe përkushtimit të tij u shpall kampion bote në peshëngritje dhe në “Dola te Ola” rrëfeu emocionet e jashtëzakonshme që përjetoi. Ai zbuloi se rruga e tij drejt Kampionatit Botëror nuk kishte qenë aq e lehtë pasi një muaj para se të merrte pjesë, analiza e muskujve i kishte dalë shumë e lartë, 962 kur vlera normale duhej 170.

Kjo rrezikonte jo vetëm karrierën, por edhe jetën e tij. Ai tregoi se pasi mori qetësues, ilaçe dhe çajra, vlerat e analizës shkuan diku te 300, dhe sportisti nuk hoqi dorë nga pjesëmarrja në Kampionatin Botëror edhe pse do rrezikonte me jetë. “Rrezikova gjithçka, por ia vlejti sakrifica pasi u shpalla kampion bote”, tha ai.

Në program sportisti mori një videomesazh surprizë nga Fidel Ylli, i cili përveç vlerësimit nga ana profesionale, e cilësoi Brikenin një djalë të jashtëzakonshëm, një baba, një bashkëshort, një mik dhe një shok shumë të mirë./BW


Shtuar 20.02.2022 20:42