Sot, policia, përmes një njoftimi zyrtar bëri me dije se një bankë e nivelit të dytë ka qenë objektiv për t’u vjedhur nga disa grabitës që ishin duke ndërtuar një tunel në kanalizimet e ujërave të zeza.
Grabitësit kishin hartuar një skemë për t’u futur në ambientet e bankës nëpërmjet kanalevë të ujëave të zeza, por policia ka arritur t’i nuhasë nëpërmjet rrugëve operative.
Grabitja do të kryehej në zonën e bulevardit “Zogu i Parë”, ndërsa jo më larg se dje, policia gjeti një armë zjarri në një pusetë në afërsi të Ministrisë së Drejtësisë.
“Falë reagimit të Policisë, parandalohet tentativa për vjedhje në një bankë të nivelit të dytë, duke përdorur tunele të nëndheshme.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, se në bulevardin “Zogu I” po kryheshin gërmime, duke përdorur tunele të nëndheshme, me qëllim depërtimin në ambientet e brendshme të një banke të nivelit të dytë, falë reagimit të menjëhershëm, kanë bërë të mundur parandalimin e vjedhjes në bankë.
Shërbimet e Policisë janë duke kryer hetime të thelluara me qëllim identifikimin, kapjen e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprën penale “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit” kryer në bashkëpunim”, thuhet në njoftimin e policisë./albeu.com