Brahimin tentoi ta vriste xhaxhai i gruas, shkak i konfliktit dyshohet një vdekje brenda familjes. Autori e priti për një orë dhe e qëlloi

Policia e Shkodrës zbardhi plagosjen e Selami Brahimit,m të ndodhur më 8 shkurt në Shkodër.

Në pranga, si autor i dyshuar i ngjarjes ra Sulejman Kapllani, 68 vjeç. Ai pas ngjarjes ishte arratisur dhe u arrestuar në Belgjikë.

Mësohet se Kapllani është xhaxhai i gruas i të plagosurit.

Kështu Kapllani tentoi që të vrasë dhëndrin e shtëpisë 60-vjeçarin Selami Brahimi.

Sipas policisë së Shkodrës, edhe pse të afërm, ata kanë pasur konflikte prej vitesh të cilat janë rindezur pas një vdekjeje brenda familjes.

68-vjeçari dyshohet se ka qëlluar nga një automjet tip Skoda Fabia ngjyrë e bardhë të cilën e kishte marrë me qira në aeroportin e Rinasit kur ka ardhur drejt Shqipërisë duke qenë se jeton në Itali.

Ky automjet pas ngjarjes nga këqyrrja e kamerave të sigurisë u gjet i parkuar në lagjen “Rus” në Shkodër dhe brenda saj edhe arma e zjarrit automatik kallashnikov.

Brenda mjetit janë gjetur edhe 8 gëzhojat e automatikut ndërsa një gëzhojë u gjet në vendin e ngjarjes e cila është e njëjtë më gëzhojat brenda automjetit, provë e cila çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje.

Shtetasi Sulejman Kapllani mësohet se u arrestua në Gjermani, por nuk u ekstradua menjëherë pasi është një shtetas me dokumentacione italiane dhe shteti gjerman kërkoi vendim nga një gjykatë shqiptare.

Një ditë më parë gjykata e shkallës së parë në Shkodër vendosi për ekstradimin e 68 vjeçarit nga Gjermania drejt Shqipërisë dhe tashmë pritet ardhja e tij drejt vendin tonë si person i dyshuar për plagosjen. Shtetasi Sulejman Kapllani njihet si person me precedent dhe rrezikshmëri në Itali ku jeton, ndërsa i plagosuir Selami Brahimi ka qenë i dënuar në Zvicër për lëndë narkotike disa kohë më parë.

Por cili është konflikti mes këtyre të afërmve

Shtetasi Musa Kapllani është vjehrri i të plagosurit Selami Brahimi dhe u nda nga jeta në janar të këtij viti por edhe vëllai i autorit të dyshuar Sulejman Kapllani. Gjithçka nisi pas kësaj vdekjeje. Musa Kapllani që prej vitit 2013 nuk fliste me dy vëllezërit e tij.

Në 2013-ën vëllai i vogël Bërhan Kapllani vrau në Itali ish-bashkëshorten e tij Orjeta Boshi dhe të dashurin e saj Shpëtim Hana ndërsa u dënua nga shteti italian me burgim të përjetshëm. Që prej asaj kohe Musa Kapllani ka ndërprerë marrëdhëniet me dy vëllezërit Sulejmanin, autori i dyshuar i plagosjes dhe Bërhanin, që u dënua për vrasjen e ish-bashkëshortes dhe një personi tjetër.

Pas vdekjes së Musa Kapllanit, familja e këtij të fundit nuk shkroi në letrën e njoftimit të vdekjes emrat e dy xhaxhallarëve, Bërhanit dhe Sulejmanit. Ky i fundit nga Italia ka debatuar lidhur me këtë çështje duke mos e pranuar dhe duke u ndjerë i fyer, debat në të cilin është përfshirë edhe i plagosuri. Ky konflikt nuk është shuar mes tyre por ka agravuar. Më 5 shkurt të këtij viti autori i dyshuar ka ardhur nga Italia drejt Shqipërisë ndërsa në Rinas mori me qira makinën nga e cila kreu krimin mbrëmjen e 8 shkurtit.

68 vjeçari Sulejman Kapllani dyshohet se qëlloi me 10 plumba në drejtim të burrit të mbesës së tij Selami Brahimi i cili mori një plumb në fytyrë dhe shpëtoi mrekullisht. Autori mësohet se ka pritur rreth një orë derisa Brahimi erdhi te lokali i tij dhe sapo la mbesën e vogël në një pallat qëlloi në drejtim të 60 vjeçarit.

Pasi kreu atentatin, 68 vjeçari u largua përmes doganës së Hanit të Hotit drejt aeroportit të Podgoricës dhe nga aty në Berlin të Gjermanisë ku edhe u arrestua. Tashmë pritet ekstradimi nga autoritetet gjermane pas vendimit të gjykatës së shkallës së parë në Shkodër.

I plagosuri nuk ka pranuar të rrëfejë ngjarjen duke thënë se nuk e kanë idenë se kush janë autorët dhe se nuk ka asnjë konflikt me askënd ndërsa pritet se cila do të jetë dëshmia e Sulejman Kapllanit si autor i dyshuar. Kjo është pista kryesore ku po heton policia përmes informacioneve në rrugë operative sepse deri më tani as të afërmit e tjerë që kanë dijeni dhe janë marrë në pyetje nuk kanë pranuar të dëshmojnë këtë konflikt për efektivët./albeu.com


Shtuar 12.02.2024 10:47