Numri i viktimave nga zjarri që përfshiu një anije pasagjerësh në Filipine ka shkuar në 35, pasi nga bordi u nxorën 30 trupa, njoftoi Roja Bregdetare Filipinase.
Të lidhura
None found
“Nga një numërim fillestar, sot u nxorën 30 trupa nga June Aster”, deklaroi roja bregdetare.
Trupat u gjetën në rrënojat e anijes pranë Coron, një zonë turistike e njohur në ishullin Palawan. Autoritetet kishin bërë më herët të ditur se aty ishin zbuluar edhe trupa, por pa përcaktuar numrin e tyre.
Hyrja në anije u bë e mundur vetëm pasi zjarrfikësit shuan flakët që kishin bllokuar përpjekjet e kërkim-shpëtimit që prej natës së së mërkurës.
Në pamjet e publikuara nga Roja Bregdetare shihen shpëtimtarë të veshur me kostume mbrojtëse, të cilët transportojnë me një varkë të vogël çanta të zeza me trupa drejt një anijeje të rojes bregdetare.
Operacioni ishte vështirësuar më parë nga tymi i dendur dhe nxehtësia e lartë, ndërsa në momentin kur shpërtheu zjarri, anija transportonte më shumë se 130 persona.
Filipinet, një arkipelag ku lëvizja bregdetare shpesh kryhet me mjete që nuk respektojnë standardet bazë të sigurisë, përballen rregullisht me tragjedi detare.
Në fund të janarit, mbytja e tragetit Trisha Kerstin 3, i cili udhëtonte nga Mindanao drejt Jolos, shkaktoi vdekjen e 52 personave. Një tjetër zjarr në një traget që ndiqte të njëjtën linjë në vitin 2023 la pas 31 viktima.
