Zjarrfikësit spanjollë akuzojnë autoritetet turke: Po shembin ndërtesa ndërsa ka ende njerëz brenda

Zjarrfikësit e Valladolidit, pjesë e ekipit spanjoll të shpëtimtarëve që mbërritën në Turqi pas tërmetit, raportuan gjatë kthimit në shtëpi se disa ndërtesa po shemben para se të përfundojë rikuperimi i të mbijetuarve.

Adiyaman ishte një nga qytetet më të goditura nga tërmeti. Njëri prej tyre tregoi zhgënjimin kur pa se po rrëzoheshin ndërtesa gjysmë të shkatërruara të konsideruara si të rrezikshme edhe pse nën rrënoja mund të kishte edne njerëz. Ai tregoi rastin e një ndërtese ku dihej se kishte 180 banorë dhe vetëm 10 ishin shpëtuar. Megjithatë ndërtesa u shemb nga autoritetet pasi thanë se ishte e rrezikshme.

Kryqi i Kuq Spanjoll po organizon dërgimin e mbi 105 tonëve ndihma humanitare drejt Turqisë dhe Sirisë. Sipas drejtorit të Njësisë së Emergjencave, Iñigo Vila, “do të dërgohen 2 950 cisterna 20-litroshe për transportin e ujit të pijshëm, 3 800 batanije leshi, 2 200 batanije termale, 15 700 fletë plastike dhe 4 400 komplete kuzhine”.

Këto materiale janë pjesë e stoqeve që Kryqi i Kuq ka përgatitur për situata emergjente në magazinat e tij në Katalonjë, Valencia, Madrid dhe Ishujt Kanarie, nga ku materialet po organizohen për t’u dërguar sa më shpejt. Dërgesa duhet të jetë gati deri në fund të javës. Linja ajrore Vueling do të bashkëpunojë në transportin e këtyre mallrave, duke u kujdesur që gati 10 tonë material të shkojë sa më shpejt në Turqi.


Shtuar 14.02.2023 22:11