Një shkollë fillore në veri të Tokios u përfshi nga flakët, duke i detyruar autoritetet të organizojnë menjëherë evakuimin e nxënësve dhe stafit të institucionit.
Mediat japoneze bëjnë të ditur se zjarri ra në një sallë muzike në katin e katërt të godinës. Pas dhënies së alarmit, strukturat e emergjencës dhe drejtuesit e shkollës ndërhynë për të larguar fëmijët dhe mësuesit, me qëllim shmangien e rrezikut nga përhapja e flakëve.
Të lidhura
None found
NHK, transmetuesi publik japonez, së bashku me agjencinë e lajmeve Kyodo, raportuan se të paktën 10 persona kanë pasur vështirësi në frymëmarrje për shkak të thithjes së tymit. Mes tyre janë tetë nxënës dhe dy mësues.
Në kohën kur ndodhi ngjarja, në ambientet e shkollës gjendeshin rreth 300 nxënës, si edhe dhjetëra pjesëtarë të stafit. Ndërkohë, autoritetet kanë nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e zjarrit, ndërsa ekipet mjekësore po ndjekin gjendjen e të prekurve.
Deri tani nuk ka njoftime për viktima, ndërsa puna për shuarjen e flakëve dhe sigurimin e ndërtesës është ende në vijim.
