Zgjidhja e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi, çelësi për kufizimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan?

Nga Berta López Domènech “European Policy Centre

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Për vite me radhë Serbia ka manovruar me sukses midis Moskës dhe Brukselit. Presidenti serb Aleksandar Vucic ia ka dalë të forcojë partneritetin e tij me Vladimir Putinin dhe në të njëjtën kohë të vazhdojë procesin e anëtarësimit të vendit në Bashkimin Evropian. Megjithatë, pushtimi rus i Ukrainës e tronditi skakierën e lojës politike, duke e bërë shumë më të ndërlikuar vazhdimin e lojës me 2 porta nga ana e Vucic. Që nga shpërthimi i kësaj lufte, Serbia e ka dënuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës dhe aneksimin e territorit ukrainas.

Megjithatë nën neutralitetin e saj të pretenduar, Beogradi refuzoi të vendosë sanksione ndaj Moskës dhe sipas sondazheve të fundit, më shumë se gjysma e popullsisë serbe beson se Rusia është aleati i huaj më i afërt. Por muajt e fundit është shtuar shumë presioni ndaj Serbisë për të zgjedhur njëherë e mirë mes Brukselit dhe Moskës.

Parlamenti Evropian ka bërë thirrje për ndërprerjen e negociatave të anëtarësimit të Serbisë, nëse ky vend refuzon t’i bashkohet sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Po ashtu pak ditë para samitit të Procesit të Berlinit të vitit të kaluar, Gjermania e paralajmëroi hapur Serbinë se kishte ardhur koha që ajo të merrte anë në këtë konflikt.

Interesat strategjike dhe ekonomike të Serbisë janë në BE. Megjithatë, Beogradi mbështetet në mbështetjen diplomatike të Kremlinit për ta izoluar Kosovën ndërkombëtarisht, sidomos duke pasur parasysh pozicionin me ndikim të Rusisë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Gjatë viteve të fundit, Rusia e ka përdorur me sukses këtë kartë për të forcuar ndikimin e

saj si dhe për të ndjekur objektivat e saj strategjike në Ballkanin Perëndimor, duke ruajtur destabilitetin në rajon për ta penguar enkas atë të përparojë në rrugën e saj të integrimit euroatlantik.

Gjatë dekadës së fundit, BE-ja ka dështuar në mbajtjen e premtimin të saj për një perspektivë realiste evropiane për vendet e Ballkanin Perëndimor. Mungesa e marrëveshjes për zgjerimin e unionit midis kryeqyteteve të BE-së dhe instrumentalizimi i procesit të anëtarësimit nga shtetet anëtare për axhendat e tyre të brendshme, i kanë lënë vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor në një gjendje të përhershme pritjeje në paradhomë.

Po ashtu lëkundjet e BE-së në lidhje me çështjen e zgjerimin, i kanë dhënë mundësinë udhëheqësve politikë në rajon që ta justifikojnë mungesën e angazhimit të tyre ndaj reformave, duke shkaktuar një dëm të madh në opinionin publik në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Edhe pse BE-ja ende gëzon mbështetje të madhe në të gjithë rajonin, qytetarët janë bërë gjithnjë e më skeptikë mbi perspektivën e anëtarësimit të vendit të tyre në BE. Rusia po përpiqet që ta shfrytëzojë këtë zhgënjim, duke synuar të sabotojë planet e BE-së dhe zhvendosur Ballkanin Perëndimor në sferën e saj të ndikimit.

Duke mbështetur liderët që nxitin përçarje, Rusia ka arritur që të nxisë tensionet etnike, të ruajë destabilitetin politik dhe të nxisë konfliktet territoriale në rajon. Që nga fillimi i viteve 2000, Moska ka përfituar nga pakënaqësia e serbëve ndaj bombardimeve të NATO-s të vitit 1999, duke shfrytëzuar narrativën e vjetër të vëllazërisë sllave për të mbjellë ndjenja anti-perëndimore në të gjithë rajonin.

Që nga fundi i luftërave jugosllave në vitet 1990, BE-ja ka ndjekur politikën e ruajtjes më çdo kush të paqes dhe stabilitetit. Kjo qasja ka çuar ndonjëherë në tolerimin e sjelljeve të liderëve autokratë, të cilët kanë përfituar prej kohësh nga destabiliteti i përhershëm.

Ndërsa nxisnin trazirat e brendshme dhe rajonale, këta liderë shfaqeshin në publik si garantuesit e stabilitetit, duke nxjerrë lëshime nga BE-ja. Aktorët perëndimorë kanë rënë

në mënyrë të përsëritur në këtë grackë, duke kompromentuar kriteret e tyre të anëtarësimit (pra duke lejuar përparimin drejt BE-së të vendeve me kredenciale demokratike të diskutueshme, por jetike për stabilitetin e rajonit).

Kjo gjë ka pasur një ndikim negativ në transformimin demokratik të rajonit, dhe e ka dobësuar fuqinë transformuese të BE-së. Lufta në Ukrainë i ka “hapur sytë” Brukselit

ndaj rëndësisë gjeopolitike të të qenit i pranishëm në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm si ndërmjetës në konflikt, por edhe si një partner afatgjatë. Muajt e fundit të vitit 2022 u panë disa përparime, përfshirë përpjekjet në rritje për arritjen e një marrëveshje midis Beogradit dhe Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve midis tyre.

Normalizimi i marrëdhënieve, është një kërkesë thelbësore për anëtarësimin e Serbisë dhe Kosovës në BE. Që nga fillimi i dialogut Beograd-Prishtinë në vitin 2011, Brukseli është përpjekur të lehtësojë arritjen një kompromisi midis dy palëve. Por megjithëse nënshkrimi i Marrëveshjes së Brukselit në vitin 2013 lejoi fillimin e bisedimeve të anëtarësimit me Serbinë dhe negociatat për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA) me Kosovën, një dekadë më vonë, zbatimi i saj mbetet i paplotë.

Krijimi i Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe në Kosovë është një nga aspektet më të konstestuara të marrëveshjes së 2013-ës, dhe debati mbi natyrën që duhet të ketë ajo është pengesa kryesore për të ecur përpara. Në vitin 2015 u ra dakord mbi funksionet dhe parimet e këtij organizmi.

Por përshkrimi i paqartë i kompetencave të tij, ka lënë hapësirë për interpretime nëse duhet t’i jepen apo jo kompetenca ekzekutive. Më 27 shkurt, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vucic e miratuan planin e ndërmjetësuar nga BE për normalizimin e marrëdhënieve.

Por nuk pati një marrëveshje për zbatimin e saj. I ashtuquajturi propozim franko-gjerman, cilësohet si një hap përpara në zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet dy palëve, por ai nuk po arrin të adresojë ende natyrën e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe.

Ndërmjetësuesit e BE-së duhet të ndalojnë përdorimin e paqartësisë si një mjet për t’i bindur të dyja palët. Edhe pse kjo metodë mund të ndihmojë në arritjen e marrëveshjeve në letër, realiteti ka treguar se ajo e përjashton zbatimin e pakteve në terren.

Dhënia e kompetencave ekzekutive Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe, do të krijonte de facto një qeverisje bazuar në linjat etnike dhe të dominuar nga një etni. Shembulli i Republika Srpska dëshmon se janë të mëdha shanset që një organ i tillë ta thellojë sektarizmin dhe të komprometojë funksionimin e Kosovës si shtet.

Për më tepër, partia kryesore serbe në Kosovë, Lista Srpska, e mbështetur nga partia e Vladimir Putinit, kontrollohet drejtpërdrejt nga Beogradi. Në këtë kontekst, një entitet i këtij lloji do të bëhej me shumë gjasa instrument për Serbinë që të vazhdojë të ushtrojë kontroll mbi serbët e Kosovës dhe të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Kosovës.

Nga ana tjetër kjo do të forconte pozitën e Rusisë, e cila i ka ndihmuar prej kohësh serbët e Kosovës, për shembull duke i dërguar ndihma gjatë ngritjes së barrikadave në 2011. Bashkësia duhet t’u shërbejë interesave të serbëve të Kosovës dhe të funksionojë si një platformë për pasqyrimin e diversitetit të zërave brenda komunitetit, përtej monopolit të Listës Serbe. Ajo duhet të veprojë si urë lidhëse ndërmjet pushtetit vendor dhe institucioneve qendrore. Distancimi nga sektarizmi, mbrojtja e të drejtave të pakicave dhe sigurimi i të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët duhet të jenë gurët e themelit të çdo marrëveshjeje.

Zgjidhja e konfliktit midis Beogradit dhe Prishtinës, është një hap i parë thelbësor për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tjera të hapura në rajon si dhe për mbajtjen e Rusisë më larg këtij rajoni. Jo vetëm në Kosovë dhe Serbi, por në mbarë Ballkanin, BE-ja duhet urgjentisht të rifitojë besimin e njerëzve, dhe të rivendosë fuqinë e saj transformuese.

Dhe kjo mund të arrihet vetëm duke i ofruar Ballkanit një rrugë realiste drejt anëtarësimit në BE. Po ashtu, ndihma për përparimin e rajonit drejt BE-së do të kufizojë ndikimin e Rusisë, duke frenuar kësisoj tendencat jo-liberale në rritje dhe duke garantuar stabilitetin në pragun e unionit.

Shënim:Berta López Domènech, ndihmëse në zbatimin e programit të Politikave dhe Institucioneve Evropiane në Qendrën e Politikave Evropiane.

 


Shtuar 2.03.2023 09:59