Partia e Millorad Dodikut njoftoi se ka fituar zgjedhjet në Republikën Sërpska, entitetin serb të Bosnje dhe Hercegovinës.
Të lidhura
None found
Rezultate të rëndësishme kanë arritur edhe partitë nacionaliste në pjesë të tjera të vendit, duke rritur mundësinë që tensionet të vazhdojnë si në Bosnje dhe Hercegovinë, ashtu edhe në rajon.
“Kemi fituar”, deklaroi Dodik para mbështetësve të tij në Banjallukë, të dielën në mbrëmje.
Ai tha se shifrat e para tregojnë se Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur, SNSD, do të vazhdojë të qeverisë në Republikën Sërpska.
Zgjedhjet u zhvilluan më 4 tetor, kur qytetarët votuan për Presidencën trepalëshe dhe Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës, si dhe për organet ligjvënëse në nivele të tjera, përfshirë Kuvendin e Republikës Sërpska.
Struktura e ndërlikuar politike e vendit është rezultat i Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995.
Marrëveshja e ndau Bosnje dhe Hercegovinën në dy entitete me autonomi të gjerë: Republikën Sërpska dhe Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës, ku shumicën e përbëjnë boshnjakët dhe kroatët.
Këto dy entitete bashkërendohen përmes institucioneve qendrore të shtetit, të cilat shpesh janë përballur me vështirësi në funksionim.
Pas numërimit të 92 për qind të votave, Dodik, një politikan prorus, deklaroi se kandidatja e SNSD-së, Zhelka Cvijanoviq, pritet të marrë një vend në Presidencën trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës.
Ulësja boshnjake pritet t’i takojë anëtarit aktual properëndimor të Presidencës, Denis Beqiroviq.
Ndërsa ulësja kroate parashikohet të fitohet nga Darijana Filipoviq e Bashkimit Demokratik Kroat (HDZ).
Filipoviq, 39 vjeçe, pritet të jetë anëtarja më e re e Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës që prej përfundimit të luftës së viteve 1992-1995.
Dodik, i cili prej vitesh kërkon zgjerimin e autonomisë së Republikës Sërpska ndaj institucioneve qendrore dhe herë pas here përdor retorikë për ndarje, ia atribuoi fitoren edhe presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
“Po të mos ishte fitorja madhështore e Donald Trumpit… ne sot ndoshta do të ishim kufoma politike”, deklaroi ai para mbështetësve.
“Por tani, falë rrethanave të reja, ne jemi fitues politikë”, tha Dodik, i cili shprehu mirënjohje edhe për presidentin rus, Vladimir Putin.
“Qëndrimet tona politike mbeten të palëkundura dhe nuk do të heqim dorë prej tyre. Do të vazhdojmë të punojmë në të mirë të popullit tonë”, u shpreh ai.
Dodik, ish-udhëheqësi i Republikës Sërpska, është 67 vjeç dhe nuk garoi në këto zgjedhje, pasi i është ndaluar mbajtja e posteve publike.
Pavarësisht kësaj, portreti i tij ishte vendosur në billborde në të gjithë Republikën Sërpska, ku ai vazhdon të ketë ndikim të madh politik.
Dodik dhe zyrtarë të tjerë të Republikës Sërpska ishin vendosur më herët nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara për shkelje të pretenduara të Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës së viteve 1992-1995 në Bosnje dhe Hercegovinë, si dhe për refuzimin e zbatimit të vendimeve të përfaqësuesit ndërkombëtar për paqe.
Më 29 tetor 2025, megjithatë, Departamenti amerikan i Thesarit njoftoi se Dodik dhe dhjetëra aleatë të tij ishin larguar nga lista e sanksioneve amerikane.
Institucioni amerikan nuk dha shpjegime për arsyet e këtij vendimi.
Gjatë kohës kur drejtoi Republikën Sërpska, Dodik u kritikua për prirje autoritare, dobësim të institucioneve demokratike dhe ngritjen e një sistemi patronazhi politik.
Në një aktivitet elektoral para zgjedhjeve, ai kërkoi që të hiqej kufiri ndërmjet Republikës Sërpska dhe Serbisë.
Edhe politikanë të tjerë nacionalistë kanë bërë thirrje për bashkimin e këtij entiteti me Serbinë.
SDA-ja kryeson garën për Parlament
Rezultate të forta në zgjedhjet për Parlamentin e Bosnje dhe Hercegovinës duket se kanë siguruar edhe partitë me orientim etno-nacionalist.
Të dhënat preliminare e rendisin Partinë e Veprimit Demokratik (SDA) në krye të votimit në Federatën e Bosnje dhe Hercegovinës.
Pas saj vijnë Partia Socialdemokrate e Bosnje dhe Hercegovinës (SDP BiH) dhe Bashkimi Demokratik Kroat i Bosnje dhe Hercegovinës (HDZ BiH).
SNSD-ja dhe Dodik shprehen hapur kundër anëtarësimit në NATO dhe mbajnë qëndrim prorus, ndërsa SDA-ja, HDZ-ja dhe SDP-ja mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian dhe anëtarësimin në NATO.
Zhelko Komshiq, anëtari kroat në largim i Presidencës, deklaroi se performanca e partive nacionaliste tregon konsolidimin në rritje të elektoratit mbi baza etnike.
“Është e qartë se në të gjitha pjesët e Bosnje dhe Hercegovinës ka ndodhur një homogjenizim etnik i elektoratit”, tha Komshiq. Sipas tij, zgjedhjet dëshmuan se “ideja e një shteti qytetar, aktualisht, nuk gëzon mbështetje të gjerë elektorale”.
Edhe pse ndarjet politike vazhdojnë të jenë të lidhura me konfliktin e viteve 1990, këto zgjedhje sollën si risi verifikimin biometrik të votuesve dhe përdorimin e skanerëve për fletëvotimet.
Për shkak të problemeve teknike, disa qendra votimi nisën punën me vonesë.
Bosnje dhe Hercegovina është shteti i parë në Ballkanin Perëndimor që e aplikon këtë sistem në të gjithë territorin.
Masa u miratua nga Zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar dhe është pjesë e reformave që synojnë rritjen e integritetit të zgjedhjeve, brenda sistemit të krijuar nga Marrëveshja e Dejtonit.
