Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky bëri thirrje sot për një përgjigje globale “vendimtare dhe të unifikuar” ndaj “terrorizmit” të Iranit dhe Rusisë, duke dënuar sulmin e Teheranit ndaj Izraelit mbrëmëjen e djeshme.
“Ukraina dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit me drone dhe raketa Shahed”, shkroi ai në platformën X (ish-Twitter), duke bërë thirrje për çdo gjë të mundshme për të parandaluar “përshkallëzimin” në Lindjen e Mesme.
“Në Ukrainë, ne e dimë shumë mirë tmerrin e sulmeve të ngjashme nga Rusia, e cila përdor të njëjtat drone Shahed dhe raketa ruse, të njëjtat taktika të sulmeve ajrore masive,” shtoi ai, duke iu referuar këtyre dronëve të prodhuar nga Irani.
“Veprimet e Iranit kërcënojnë të gjithë rajonin dhe botën, ashtu si veprimet e Rusisë kërcënojnë një konflikt më të madh dhe bashkëpunimi i dukshëm midis dy regjimeve për përhapjen e terrorizmit duhet të përballet me një përgjigje vendimtare dhe të unifikuar nga bota”, tha ai.
“Është e rëndësishme që Kongresi Amerikan të marrë vendimet e nevojshme për të forcuar aleatët e Amerikës në këtë kohë kritike”, theksoi Volodymyr Zelensky.
Ukraina po u kërkon aleatëve të saj më shumë ndihmë ushtarake për të kundërshtuar pushtimin rus, i cili filloi më shumë se dy vjet më parë. Por përçarjet politike në Uashington e kanë ngecur atë proces dhe ndihma prej 60 miliardë dollarësh mbetet e bllokuar në Kongres./albeu.com