Një avion transporti mjekësor, i cili humbi kontaktin gjatë fluturimit nga Bermuda drejt Bostonit, është gjetur në formën e një fushe me mbetje në det, pranë brigjeve të Nantucket në Massachusetts.
Të lidhura
None found
Në bordin e Gulfstream G-100 ndodheshin gjashtë persona: dy pilotë, dy anëtarë të stafit mjekësor, një pacient dhe një familjar i tij.
Sipas autoriteteve, katër prej personave në avion ishin shtetas kanadezë, ndërsa dy të tjerët ishin shtetas bermudianë.
Roja Bregdetare e SHBA-së ka angazhuar në kërkime anije, helikopterë dhe avionë, ndërsa familjarët e personave që ndodheshin në bord janë njoftuar për situatën.
Avioni u nis nga Aeroporti Ndërkombëtar LF Wade në Bermuda rreth orës 23:40 dhe duhej të mbërrinte në Aeroportin Ndërkombëtar Logan të Bostonit rreth orës 01:30.
Administrata Federale e Aviacionit (FAA) bëri të ditur se komunikimi me avionin u ndërpre pak pas orës 01:00 me orën lokale, teksa ai po udhëtonte drejt Bostonit.
Të dhënat e fluturimit tregojnë se mjeti ajror humbi ndjeshëm lartësi, duke zbritur nga rreth 7,300 metra në rreth 3,300 metra, përpara ndërprerjes së komunikimeve.
Transmetimet mes pilotit dhe kontrollit të trafikut ajror dëshmojnë se, para zhdukjes, avioni po përballej me vështirësi në komunikim. Kontrollori e pyeti pilotin nëse po fluturonte “i verbër” dhe nëse po deklaronte emergjencë, por përgjigjja e tij nuk u dëgjua qartë. Më vonë, kontrollori konfirmoi se piloti kishte njoftuar për një situatë emergjente.
Një dispeçer i shërbimeve të emergjencës u kërkoi ekipeve të ishin gati për mbërritjen e avionit, duke iu referuar një “problemi elektrik”. Pas kësaj, u raportua se avioni kishte humbur njëkohësisht edhe komunikimin radio, edhe gjurmimin në radar.
Kompania Latitude Air Ambulances deklaroi se fluturimi kishte për qëllim transportimin e një pacienti dhe të afërmit të tij nga Bermuda drejt SHBA-së.
Operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë, ndërsa autoritetet pritet të publikojnë një përditësim të ri të dielën në mëngjes, sipas orës lokale. Deri tani nuk është konfirmuar nëse ka të mbijetuar.
