Një shpërthim i fuqishëm në një restorant të qendrës së Moskës dyshohet se kishte si objektiv gjeneralin rus Alexander Chaiko, i cili po zhvillonte festën e ditëlindjes.
Të lidhura
None found
Sipas raportimeve të mediave ruse, 55-vjeçari ndodhej në restorantin “Balzi Rossi”, pranë Kremlinit, në shoqërinë e politikanëve, zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe pjesëtarëve të inteligjencës ruse.
Ngjarja shkaktoi vdekjen e pesë personave. Mes viktimave ishte edhe 27-vjeçari Daniil Perendry, dhëndri i gjeneralit dhe ish-lojtar profesionist i hokejit në akull.

Vajza e Alexander Chaikos, 25-vjeçarja Maria Perendry, pësoi plagë të rënda në kokë. Në total, autoritetet raportuan 19 persona të lënduar nga shpërthimi.
Dyshimet e para të hetuesve janë se pajisja artizanale shpërthyese u fut në ambientet e restorantit nga një grua, e cila gjithashtu humbi jetën në vendngjarje. Sipas të dhënave paraprake, bomba mund të ketë pasur edhe pjesë metalike, duke shkaktuar dëmtime të shumta te personat që ndodheshin pranë saj. Autoritetet ruse po punojnë për identifikimin e autorëve dhe përcaktimin e motivit.
Chaiko ka drejtuar forcat ruse në periudhat e para të luftës në Ukrainë. Në vitin 2022, Ukraina e bëri përgjegjës për operacionet ruse në zonën e Buçës, ku gjatë pushtimit rus u raportuan qindra viktima civile.
Autoritetet në Kiev e kanë përshkruar gjeneralin si “kriminel lufte”, ndërsa Moska ka hedhur vazhdimisht poshtë akuzat për kryerjen e krimeve ndaj civilëve.
Hetimi për shpërthimin vazhdon, ndërsa deri tani nuk është bërë i ditur një konfirmim zyrtar mbi autorët ose nëse sulmi ka pasur lidhje me luftën në Ukrainë.
