Për Hwang Dong-hyuk, krijuesin dhe regjisorin e “Squid Game”, njeriun që kohë më parë ishte trokë dhe e kalonte kohën duke shkruar skenarin e serialit nëpër kafene, xhirimi i “Squid Game” nuk ishte i lehtë.
“Pasi u rrita, pyesja veten se si do të ishte të kthehesha dhe të luaja sërish lojërat e fëmijërisë?” tha ai për CNN.
Për Hwang, “Squid Game” pasqyron “shoqërinë konkurruese” në të cilën jetojmë sot.
“Kjo është një histori për humbësit,” tha ai – për ata që luftojnë sfidat e jetës së përditshme dhe lihen pas, ndërsa “fituesit ngrihen lart”.
Prodhimi i “Squid Game” ishte një përvojë intensive dhe Hwang humbi gjashtë dhëmbë gjatë xhirimeve për shkak të stresit. Megjithatë ai nuk e përjashton plotësisht idenë për një sezon të dytë.
Regjisori shtoi gjithashtu se dy nga personazhet kryesorë, Seong Gi-hun dhe Cho Sang-woo, të cilët janë emëruar në nder të miqve të tij të vjetër, përfaqësojnë “klonet e tij të brendshme”.
“Ata përfaqësojnë dy anët e mia. Ashtu si Gi-hun, unë jam rritur nga një nënë beqare në një mjedis të trazuar financiarisht në Ssangmun-dong,” shpjegoi ai për CNN. “Në të njëjtën kohë, si Sang-woo, unë shkova në Universitetin Kombëtar të Seulit dhe e gjithë lagja më lavdëroi dhe kishte pritshmëri të larta nga unë.”