Vriten nga një sulm ajror izraelit tre djemtë e udhëheqësit të Hamasit

Tre djemtë e udhëheqësit të lartë të Hamasit, Ismail Haniyeh, janë vrarë në një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës.

Lajmi që u njoftua fillimisht nga mediat e Hamasit, u konfirmua më pas nga vetë Haniyeh i cili tha se vrasja e djemve të tij, nuk do të ketë ndikim tek kërkesat e grupit militant në negociatat për armëpushim.

Në një intervistë për televizionin Al Jazeera ai akuzoi Izraelin se po vepron në “frymën e hakmarrjes dhe vrasjes”.

Haniyeh foli menjëherë pasi djemtë e tij Hazem, Ameer dhe Mohammed Haniyeh u vranë bashkë me anëtarë të tjerë të familjes, kur një makinë me të cilën po udhëtonin u vu në shënjestër të forcave izraelite në kampin e refugjatëve Al-Shati të Gazës.

Mediat e Hamasit thanë se edhe dy nga nipërit e udhëheqësit të grupit u vranë në sulm dhe një i tretë u plagos.

Ismail Haniyeh, i cili tani jeton në mërgim në Katar, është me origjinë nga Shati. Ushtria izraelite nuk ka bërë koment për ngjarjen./voa


Shtuar 10.04.2024 18:52

Tags: