Një grabitje e re ka ndodhur në një institucion arti në Francë. Persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në Qendrën e Artit Bashkëkohor në Issoire, në Auvergne, dhe kanë marrë veprën “L’Apocalypse”. Objekti monumental peshon 210 kilogramë, është i zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar dhe vlerësohet me disa milionë euro.
Të lidhura
None found
Vepra është njohur më parë si “libri më i çmuar në botë”. Kopertina prej bronzi, e punuar nga Salvador Dalí, peshon 150 kilogramë. Botuesi i librave të artit Joseph Forêt e porositi dhe e konceptoi në vitin 1959, duke u mbështetur te “Apokalipsi” i Shën Gjonit.
Në krijimin e saj u angazhuan shtatë artistë të njohur, ndër ta Dalí, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini. Po ashtu, shtatë shkrimtarë e mendimtarë, përfshirë Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger, kontribuuan me komente dhe reflektime.
Që prej vitit 1961, “L’Apocalypse” është paraqitur në vende të ndryshme të botës. Pas kalimit në duart e disa pronarëve, koleksionisti Christian Karoutzos e bleu në vitin 2002. Ai ka treguar se punoi shtatë ditë në javë dhe iu deshën dhjetë vjet për ta paguar.
Vlera e veprës llogaritet në disa milionë euro. Këtë verë, pas 24 vjetësh, Karoutzos vendosi ta ekspozonte në Qendrën e tij të Artit Bashkëkohor, por vetëm pak muaj më vonë ajo u vodh.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për rastin. “Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, deklaroi pronari.
