Një vepër me vlerë disa milionë euro është grabitur nga Qendra e Artit Bashkëkohor në Issoire, në rajonin Auvergne të Francës. Autorët, ende të paidentifikuar, morën “L’Apocalypse”, një libër monumental 210 kilogramësh, i zbukuruar me ar dhe gurë të çmuar.
Të lidhura
None found
E cilësuar dikur si “libri më i çmuar në botë”, vepra ka një kopertinë prej bronzi të punuar nga Salvador Dalí, e cila peshon 150 kilogramë. Botuesi i librave të artit Joseph Forêt e porositi dhe e konceptoi atë më 1959, duke u mbështetur te “Apokalipsi” i Shën Gjonit.
Në krijimin e librit kontribuuan shtatë artistë të njohur, përfshirë Dalín, Georges Mathieu, Bernard Buffet dhe Leonor Fini. Ndërkohë, shtatë shkrimtarë dhe mendimtarë, mes tyre Jean Cocteau, Emil Cioran dhe Ernst Jünger, shkruan komente e reflektime.
Që nga viti 1961, “L’Apocalypse” është paraqitur në ekspozita në vende të ndryshme të botës. Pas kalimit në duart e disa pronarëve, koleksionisti Christian Karoutzos e bleu në vitin 2002. Ai ka treguar se iu deshën dhjetë vjet për ta shlyer blerjen, duke punuar shtatë ditë në javë.
Karoutzos vendosi ta ekspozonte veprën në Qendrën e tij të Artit Bashkëkohor këtë verë, pas 24 vjetësh. Vetëm disa muaj më vonë, ajo u vodh. Vlera e “L’Apocalypse” llogaritet në disa milionë euro.
Autoritetet franceze kanë nisur hetimet për ngjarjen. “Është një vepër unike në botë. Kanë vrarë trashëgiminë franceze, kanë vrarë Francën”, deklaroi pronari i saj.
